Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dublin të Irlandës, me ftesë të Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), ku ka mbajtur një fjalim përpara ekspertëve të çështjeve europiane dhe të Ballkanit, si dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik.
Takimi u zhvillua nën temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, ndërsa gjatë diskutimit Rama iu përgjigj pyetjeve mbi situatën politike në Shqipëri, korrupsionin, protestat dhe zhvillimet ndërkombëtare.
Duke folur për shqetësimet e tij në drejtimin e vendit, kryeministri u shpreh:
“Ajo që më shqetëson është si të bëj më të mirën për vendin tim, si të sjell investime dhe çdo zhvillim të mbështetet në parimet dhe kufijtë ligjorë që duhet t’i përmbushin. Kur vjen fjala të gjykosh njerëzit kush është i ndershëm e kush i korruptuar, nuk përcaktohet nga sheshi publik, por nga gjykata. Unë jam më i gjatë se Trump, por SHBA është shumë më e madhe se Shqipëria. Fakti që jam i gjatë nuk më bën t’i shoh njerëzit nga lart. Çdo gjë duhet bazuar te merita dhe te faktet. Jetojmë në një botë që po humb pikënisjen”.
I pyetur për protestat e qytetarëve dhe pakënaqësitë lidhur me korrupsionin, Rama kundërshtoi shifrat e përmendura nga gazetari, duke deklaruar se ato nuk përputhen me përmasat e vendit.
“Qindra-mijëra është shifër që nuk përputhet me popullsinë tonë dhe përmasat e bulevardit. Në qershor pati vërtet disa protesta masive dhe u impenjuam për ta sjellë shtetin më parë shqiptarëve sa i përket shërbimeve online. Është fakt se ka pasur ndikim të huaj, nuk kam thënë se protestuesit janë dërguar në shesh nga regjimi iranian, por kam thënë se Irani ka futur duart përmes medias sociale. Pas fillimit të qershorit protesta nuk ishte e njëjta, nuk ka më flamingo. Ka zogj të tjerë dhe parti politike nga e djathta dhe e majta ekstreme. Pastaj kishte dhunë. A ka probleme me korrupsionin? Ka, por a jeni duke ndenjur me duar të lidhura apo po e luftojmë? Po e luftojmë për herë të parë. Deri para disa kohësh sistemi ishte korrupsioni. Jemi në pozitë të mirë”, deklaroi kryeministri.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe luftës në Ukrainë dhe rolit të Europës në përpjekjet për arritjen e paqes. I pyetur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë, Rama kujtoi historinë e tyre dhe qëndrimin e Tiranës ndaj Moskës.
“Nuk është se niveli ynë i marrëdhënieve me Rusinë ka rënë, ne nuk kemi marrëdhënie me Rusinë që në vitet ’60, kur diktatori ynë tha se do t’i rrijë besnike Stalinit. Kjo vazhdoi deri në 1990, më pas ne lidhëm marrëdhënie diplomatike, por në nivel shumë jodomethënës dhe jemi i vetmi vend në Europë nga aeroporti i të cilit nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë me Kremlinin dhe fluturime direkte dhe sinqerisht, nuk na merr malli për Rusinë”.
Më tej, kryeministri kritikoi qasjen e Bashkimit Europian ndaj konfliktit, duke thënë se diplomacia është lënë në plan të dytë në favor të armatimeve.
“Pa pasur frikë se mund të konsiderohem buratin i Rusisë, mund të them se Europa ka gabuar që hoqi dorë nga diplomacia dhe përqendroi gjithçka tek armatimet. Europa gjithnjë është prirur drejt diplomacisë, jo drejt armatimeve. Ky ishte gabim që në ditën e parë. Europa që ia jashtëkontrakton këtë përpjekje për paqe Trumpit dhe Witkoff do të mbetet në histori si diçka e qortueshme”.
Në fund, Rama solli në vëmendje edhe një këshillë që, sipas tij, i kishte dhënë gjyshja që në fëmijëri, duke theksuar se Rusia mbetet pjesë e realitetit gjeopolitik.
“Që kur kam qenë fëmijë gjyshja ishte siguruar të më thoshte se fqinjët nuk janë zgjedhja jonë, po janë ata që janë. Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi, nuk do të thotë se lufta do të vazhdojë përgjithmonë”, përfundoi kryeministri.
