Prokuroria e Elbasanit ka zbuluar një skemë të dyshuar të përdorimit të fondit të ndihmës ekonomike në funksion të blerjes së votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Materialet hetimore tashmë i janë përcjellë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të hetuar rolin e mundshëm të deputetes Sara Mila.
Sipas dosjes hetimore, punonjës të Shërbimit Social në Elbasan dyshohet se frynë artificialisht numrin e përfituesve gjatë periudhës elektorale me qëllim orientimin e votës drejt kandidates së atëhershme:
Manovrat me aplikimet: Punonjësit e institucionit kanë kryer vetë aplikimet për disa qytetarë. Pjesë e skemës rezultojnë edhe persona që ndodheshin fizikisht jashtë Shqipërisë, në emigracion.
Dëshmitë e punonjësve: Në dëshmi, stafi ka deklaruar se në mars 2025 pas nisjes së fushatës drejtuesja e institucionit u kërkoi rritjen e numrit të familjeve përfituese.
Komunikimet e administruara: Prova të rëndësishme përfshijnë biseda mes punonjësve dhe drejtuesve ku përmendet drejtpërdrejt emri i deputetes Sara Mila.
Nga kontrolli i bërë mbi një kampion prej 60 familjesh përfituese gjatë periudhës tetor 2024 – prill 2025, prokuroria dokumentoi një lëvizje të menjëhershme pas zgjedhjeve:
"Nga verifikimet dhe përfitimet e shtetasve të listuar... ka rezultuar se rreth 55 familje nga 60 që ishte kampioni i hetimit janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në muajt maj-qershor 2026."
Përjashtimi masiv i 55 familjeve përkon me periudhën kur prokuroria nisi marrjen në pyetje të zyrtarëve lokalë.
Të mërkurën, deputetja Sara Mila u paraqit në ambientet e SPAK për të dhënë shpjegime. Pas daljes nga prokuroria e posaçme, ajo u shpreh se po zhvillon një "bjetë për dinjitetin" ndaj sulmeve politike, ndërsa shmangu përgjigjet e drejtpërdrejta mbi abuzimin e skemës me arsyetimin e sekretit hetimor.
Mila vazhdon të mbajë mandatin e deputetes, ndërsa hetimet e SPAK pritet të zbardhin përgjegjësinë penale të zyrtarëve të administratës lokale dhe ndikimin e mundshëm politik mbi fondet sociale.