Gazetari Sebastian Zonja, i ftuar në emisionin “Prime News24”, ka komentuar situatën politike në vend dhe strategjinë e opozitës përballë qeverisë. Sipas tij, në Shqipëri ka vjedhje të votave, por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e opozitës për të ndërtuar një strategji që synon fitimin e zgjedhjeve.
Zonja u shpreh se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka besueshmëri në publik dhe se përsëritja e denoncimeve për vjedhjen e zgjedhjeve nuk mund të zëvendësojë një strategji të mirëfilltë opozitare.
Ai solli në vëmendje edhe rastin e Erion Veliajt, duke thënë se kryebashkiaku është futur në një “qerthull” të krijuar nga PS-ja, nga i cili duhet të dalë edhe Partia Demokratike. Sipas gazetarit, opozita duhet të sqarojë rolin e demokratëve në proceset zgjedhore, në vend që çdo rezultat të lidhet vetëm me Berishën ose Ramën.
“Mendoj se në Shqipëri vidhen vota. Por ka edhe besueshmëri në publik. Sali Berisha nuk ka besueshmëri në publik. Nëse bën strategji opozitare, shkon për të fituar zgjedhjet, por me strategji për të botuar vëllimin e shtatë të librit të vjedhjes së zgjedhjeve, nuk është strategji opozitare.
Veliajn e ka futur PS-ja në qerthull. Nga ky qerthull duhet të dalë edhe PD-ja. Kur i humb zgjedhjet, i ka vjedhur Rama; kur i fiton, i ka fituar Sali Berisha. Po demokratët ku janë këtu? Kur fitojnë, e ka bërë Sali Berisha; kur humbin, i ka vjedhur Rama.”












