Rusia konfirmon gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin energjetik me Serbinë, ndërsa mes dy vendeve po zhvillohen negociata për furnizimin me gaz dhe nënshkrimin e një kontrate të re afatgjatë.
Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një takimi në Moskë me Aleksandar Vulinin, politikanin prorus dhe ish-zyrtarin e lartë serb, udhëtimi i të cilit drejt Moskës ngriti pikëpyetje të mëdha, duke aluduar edhe një arratisje të mundshme pas zgjedhjeve në Serbi.
Lavrov e cilësoi Vulinin si një prej politikanëve kryesorë të Serbisë, të cilin tha se e njeh prej kohësh. Sipas kryediplomatit rus, Vulini i kupton mirë zhvillimet politike dhe identifikon interesin e popullit serb si objektivin kryesor të veprimtarisë së tij.
Gjatë takimit, Lavrov përmendi edhe rolin e Vulinit si kryetar i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore Srbijagas, duke e cilësuar këtë detyrë si një pasqyrim të synimit të përbashkët për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella.
“Janë duke u zhvilluar bisedimet për furnizimet e ardhshme me gaz dhe për një kontratë të re afatgjatë. E di se këtu ka qëndruar edhe drejtori i përgjithshëm i Srbijagasit, Dushan Bajatoviq”, deklaroi Lavrov.
Ai theksoi se Moska mbetet e përkushtuar ndaj të gjitha marrëveshjeve me Beogradin, si atyre ekzistuese, ashtu edhe angazhimeve të ardhshme.
Srbijagas është ndërmarrja publike përgjegjëse për importin, furnizimin, transportin dhe shpërndarjen e gazit natyror në Serbi. Kompania ka një rol kyç në marrëdhëniet energjetike mes Beogradit dhe Moskës, pasi Rusia është një nga furnizuesit kryesorë të gazit për Serbinë.
