Eisenkot i kërkon Netanyahut të mos sulmojë Iranin: Asnjë aventurë ushtarake pa qeverinë e re

Eisenkot i kërkon Netanyahut të mos sulmojë Iranin: Asnjë aventurë ushtarake pa qeverinë e re

22:53, 11/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një debat i fortë politik dhe i sigurisë ka përfshirë Izraelin, pas shqetësimeve për një operacion të ri ushtarak kundër Iranit. Gadi Eisenkot, i mandatuari për formimin e qeverisë së re, i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu të mos ndërmarrë veprime ushtarake me pasoja të rënda strategjike, përpara se të betohet kabineti i ri dhe të marrë mbështetjen e Knessetit.

Në një letër drejtuar Netanyahut, Eisenkot ka kërkuar vetëpërmbajtje në vendimmarrjen për sigurinë kombëtare, duke argumentuar se vendime të tilla duhet t'i kalojnë qeverisë së re, nëse nuk ka urgjencë që kërkon veprim të menjëhershëm. Ai i është drejtuar gjithashtu prokurores së përgjithshme Gali Baharav-Miara, duke kërkuar informim të plotë dhe të vazhdueshëm për zhvillimet e sigurisë dhe vlerësimet e shërbimeve inteligjente.

Kërkesa e Eisenkot vjen pas raportimeve të televizionit izraelit N12 për mosmarrëveshje mes Netanyahut dhe shefit të ushtrisë, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, lidhur me mundësinë e një operacioni të ri kundër Iranit. Ndërkohë, Netanyahu vijon të ushtrojë detyrën e kryeministrit, ndërsa procesi për formimin e qeverisë së re zhvillohet pas zgjedhjeve të 27 tetorit, kur presidenti Isaac Herzog i dha Eisenkotit mandatin për krijimin e kabinetit.

Zyra e Netanyahut i është përgjigjur kritikave duke deklaruar se vendimet merren në bazë të interesave të sigurisë kombëtare dhe në koordinim me drejtuesit ushtarakë. Ajo e akuzoi Eisenkotin për politizim të çështjeve të sigurisë dhe për papërgjegjshmëri në publikimin e deklaratave për çështje ushtarake sensitive. Nga ana e tij, Eisenkot ka ngritur pikëpyetje mbi refuzimin e Netanyahut për t'i dhënë informacion përmes kanaleve zyrtare. Deri tani, nuk ka një vendim të konfirmuar për një sulm të ri izraelit ndaj Iranit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco