Rekord në Europë: Blerja e një shtëpie në Shqipëri, 76% më e vështirë se 10 vite më parë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.11.2026, 22:54

Të blesh një shtëpi në Shqipëri po kthehet në një luks të papërballueshëm për mijëra qytetarë, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet që jetojnë me të ardhurat nga puna.

Çmimet e apartamenteve kanë marrë përmasa alarmante, duke u rritur shumë më shpejt se pagat dhe të ardhurat familjare. Sipas përllogaritjeve, blerja e një banese në raport me të ardhurat është bërë 76.3% më e vështirë gjatë periudhës 2015–2025, një rritje që tejkalon edhe atë të çdo vendi të Bashkimit Europian!

Shifrat tregojnë një realitet shqetësues: nëse dhjetë vite më parë një familjeje do t'i duheshin të ardhurat e 10 viteve për të blerë një apartament, sot do t'i duheshin rreth 17.6 vite, duke supozuar se çdo qindarkë do të shkonte për banesën.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 214.4%, duke u trefishuar, ndërsa të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur vetëm me 78.4%. Kjo diferencë po e largon gjithnjë e më shumë ëndrrën e një shtëpie nga mundësitë financiare të qytetarëve.

Situata paraqitet veçanërisht e rëndë në Tiranë, ku çmimi mesatar i apartamenteve nga 860 euro për metër katror në vitin 2015 arriti në rreth 1,950 euro në vitin 2025. Një apartament 100 metra katrorë, që dikur kushtonte mesatarisht 86 mijë euro, në vitin 2025 arriti në 195 mijë euro, plot 109 mijë euro më shumë. Shtrenjtimi ka vijuar më tej, me çmimin mesatar që ka arritur në 2,140 euro për metër katror në tremujorin e parë të raportuar.

Edhe krahasimi me Europën nxjerr në pah përmasat e problemit. Ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian shënoi një rritje prej vetëm 6.8% të raportit mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave gjatë dekadës, Shqipëria regjistroi 76.3%. Madje, vendi ynë tejkalon edhe Portugalinë, e cila me 60.8% kishte rritjen më të lartë mes vendeve të BE-së. Megjithatë, krahasimi është orientues, pasi Shqipëria dhe Eurostat përdorin metodologji jo plotësisht të njëjta.

Përballë këtyre shifrave, një pyetje mbetet për mijëra familje shqiptare: Si mund të blejë një shtëpi një i ri që jeton me pagë, kur çmimet e apartamenteve rriten shumë më shpejt se të ardhurat? Ndërsa banesat shtrenjtohen vit pas viti, për shumë qytetarë alternativa mbetet marrja e kredive afatgjata ose heqja dorë nga ëndrra për të pasur një shtëpi të tyren.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit