Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas artikullit të publikuar nga POLITICO, duke sqaruar deklaratën e tij lidhur me organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Nufi thekson se deklarata e tij është interpretuar jashtë kontekstit dhe se Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen dhe as zhvillimin virtual të Samitit.
Ai sqaron se referenca për një takim virtual lidhej vetëm me diskutimin dhe përcaktimin e datës nga liderët e vendeve aleate, ndërsa konfirmon se përgatitjet për organizimin e Samitit në Tiranë kanë nisur tashmë.
Reagimi i plotë i ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi:
“Lidhur me artikullin e publikuar sot nga POLITICO, dëshiroj të sqaroj se deklarata ime është interpretuar jashtë kontekstit, duke krijuar një përshtypje të gabuar mbi qëndrimin e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca. Shqipëria ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin dhe mikpritjen e tij.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarit lidhur me datën e zhvillimit të Samitit, kam sqaruar se përcaktimi i saj është kompetencë e liderëve të vendeve aleate, të cilët mund ta diskutojnë dhe vendosin atë edhe përmes një takimi virtual, pa qenë e nevojshme të mblidhen fizikisht për këtë qëllim.
Referenca ime ndaj një takimi virtual lidhej ekskluzivisht me procesin e vendimmarrjes për datën dhe në asnjë mënyrë me zhvillimin virtual të vetë Samitit.
Pasi data të përcaktohet nga Aleanca dhe të komunikohet zyrtarisht nga NATO, ajo do të bëhet publike.
Dua të jem plotësisht i qartë: Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen, as zhvillimin virtual të Samitit të NATO-s. Ne jemi duke u përgatitur për ta mirëpritur atë në Tiranë, ashtu siç është vendosur nga aleatët.
Çdo interpretim tjetër i deklaratës sime nuk pasqyron atë që kam thënë dhe as qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.”












