Debati për grumbullimin e bidonave plastikë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës merr një tjetër zhvillim. Pas reagimit të pedagoges, e cila e prezantoi mbledhjen e plastikës si pjesë të një nisme mjedisore, një tjetër studente i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të kundërshtuar këtë version.
Në një mesazh zanor, studentja pretendon se mbledhja e bidonave nuk paraqitet thjesht si një aktivitet vullnetar, por shoqërohet me presion të vazhdueshëm ndaj vajzave në auditorë. Sipas saj, pedagogia hyn në klasa dhe u kërkon studentëve të sjellin bidona, duke këmbëngulur se kjo është pjesë e detyrimeve të tyre në kuadër të kursit.
Akuzat bëhen edhe më serioze kur studentja pretendon se mosbindja mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatet akademike. Ajo thotë se studentët kanë frikë se mund të ngelin në lëndë nëse nuk marrin pjesë në grumbullimin e plastikës apo nuk zgjedhin degën që zhvillon pedagogia.
“Do të ishte diçka e bukur nëse do të na thoshte t'i mblidhnim sepse i bëjmë mirë mjedisit. Por ajo të detyron me zor. Kush është pedagogia që të të detyrojë në këtë mënyrë?”, shprehet studentja në denoncimin e saj.
Nga ana tjetër, pedagogia ka deklaruar më herët se bëhet fjalë për një projekt mjedisor, në kuadër të të cilit gjatë gjashtë muajve janë mbledhur rreth 6 tonë plastikë dhe letër, ndërsa janë mbjellë 107 pemë e shkurre. Ajo ka theksuar se nisma synon edukimin qytetar dhe ndërgjegjësimin mjedisor.
Megjithatë, shifrat e një projekti mjedisor nuk i japin përgjigje shqetësimit kryesor të studentëve: a është pjesëmarrja vërtet vullnetare dhe a ka pasur raste kur mosmbledhja e bidonave është përdorur si arsye për penalizim në nota?
Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, atëherë një nismë që synon të mbrojë mjedisin do të ishte kthyer në një mjet presioni akademik. Universiteti “Aleksandër Moisiu” duhet të sqarojë nëse mbledhja e plastikës është pjesë e detyrimeve të kursit dhe të garantojë se asnjë student nuk penalizohet në vlerësim për refuzimin e një aktiviteti të tillë.