Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 17 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së një ndërtese trekatëshe në Bruklin të Nju Jorkut. Ngjarja ka shkaktuar një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të nxjerrë të mbijetuarit që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Më shumë se 250 efektivë të shërbimeve të emergjencës janë angazhuar në vendngjarje, në Flatbush Avenue, ku ndërtesa u shemb papritur rreth orës 16:00 me orën lokale të së mërkurës.
Operacioni është cilësuar si jashtëzakonisht i rrezikshëm nga komisionerja e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY), Lillian Bonsignore. Sipas saj, mes personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar ndodhen si banorë të ndërtesës, ashtu edhe persona që ndodheshin në kantierin e ndërtimit pranë saj.
Pavarësisht vështirësive, ekipet e shpëtimit kanë vijuar punën pa ndërprerje. Disa orë pas shembjes, pamjet ajrore kanë dokumentuar momentin kur zjarrfikësit nxorën nga rrënojat një person të mbijetuar, të mbuluar nga pluhuri, i cili u transportua me barelë drejt ekipeve mjekësore.
“Ekipet tona kanë punuar në mënyrë metodike dhe nuk janë ndalur që nga mbërritja në vendngjarje këtë pasdite”, deklaroi Bonsignore.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë përmasat e dëmeve. Njëra anë e ndërtesës është shembur plotësisht, duke ekspozuar ambientet e brendshme, përfshirë dhomat e gjumit dhe garderobat. Mes rrënojave të betonit dhe strukturave metalike të deformuara shihen sende personale, veshje dhe objekte shtëpiake.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili ka vlerësuar reagimin e shpejtë të forcave të emergjencës.
“Mbërritën në më pak se një minutë dhe kanë kaluar orë të tëra duke punuar në kushte të rrezikshme dhe teknikisht shumë të vështira për të shpëtuar qytetarët e Nju Jorkut”, shkroi ai në rrjetin social X.
Ndërkohë, shkaku i shembjes mbetet ende i paqartë. Sipas të dhënave të autoriteteve bashkiake, të cituara nga CBS News, ndërtesa ishte ndërtuar në vitin 1930.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon.
