Shembet një pallat trekatësh në Brooklyn, dy të vdekur dhe disa të bllokuar nën rrënoja

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brooklynin në Nju Jork, ku një ndërtesë trekatëshe është shembur pranë një kantieri ndërtimi, duke shkaktuar të paktën dy viktima dhe duke lënë disa persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të së mërkurës,(rreth orës 22:00 me orën lokale të Shqipërisë) në zonën e Flatbush. Sipas autoriteteve, pas shembjes, ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje për të kërkuar të mbijetuarit mes masivit të tullave dhe drurit.
Bilanci paraprak i konfirmuar nga autoritetet është tragjik: dy persona kanë humbur jetën, ndërsa katër të tjerë janë transportuar në spital në gjendje kritike. 12 persona të tjerë janë raportuar në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një zjarrfikës ka marrë ndihmë mjekësore për dëmtime të lehta. Mes personave të prekur nga ngjarja janë edhe shtatë fëmijë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi autoritetet nuk kanë ende një informacion të saktë se sa persona mund të ndodhen ende nën rrënoja. Gjatë ndërhyrjes, zjarrfikësit arritën të nxjerrin të gjallë një person nga rrënojat.
Sipas informacioneve paraprake, ndërtesa e shembur ndodhej në kufi me një kantier ku ishte prishur një objekt njëkatësh për një projekt të ri ndërtimi. Zona po gërmohej për punimet, ndërsa ndërtesa trekatëshe u shemb duke mbuluar gropën e kantierit me tulla dhe materiale të tjera ndërtimi.
Ekipet e shpëtimit po punojnë mes rrënojave me mjete speciale, qen kërkim-shpëtimi dhe ndërhyrje manuale për të gjetur persona të tjerë të mbijetuar. Shkaqet e shembjes mbeten ende të paqarta dhe pritet të hetohen nga autoritetet.
/vizionplus.tv




