Ullinjtë e Lunxhërisë, fermerët përballen me mungesën e fuqisë punëtore gjatë vjeljes
Në ullishtat e Lunxhërisë ka nisur një nga periudhat më të rëndësishme të vitit për fermerët. Prodhimi i ullirit këtë sezon paraqitet i mbarë. Krenar Rrustemi është një prej fermerëve të zonës, i cili prej më shumë se 26 vitesh i është përkushtuar kultivimit të ullirit. Me disa varietete në parcelat e tij, ai i ndjek me kujdes ullinjtë, pasi koha e vjeljes është një faktor i rëndësishëm për cilësinë e vajit që do të prodhohet.
“Po këtu kam 1,2 hektarë tokë. Kam rreth 400 rrënjë ullinj, të moshës 15–20 vjeç. I kam mbjellë sipas viteve dhe kam mbjellë edhe më vonë, ku disa janë tetëvjeçarë. Shumë mirë është tani, vetëm presim të shohim përqindjen e vajit, sepse aty qëndron i gjithë sekreti. Po e mblodhe shpejt, ka shumë pak rendiment”, u shpreh fermeri, Krenar Rustemi.
Por, krahas mbarësisë së prodhimit, vjelja e ullirit shoqërohet edhe me vështirësi. Për fermerët, sigurimi i fuqisë punëtore mbetet një nga sfidat kryesore të kësaj periudhe, pasi mbledhja e prodhimit kërkon kohë dhe angazhim të konsiderueshëm.
“Punojmë e gjithë familja. Na ndihmojnë edhe fëmijët, ndërsa ne vetë mund të gjejmë edhe dy-tre punëtorë. Nuk mund ta mbledhim të gjithë ullirin brenda një dite, ndaj vazhdojmë për një periudhë pesëditore intensive, deri në një javë, që nga momenti kur fillojmë vjeljen e ullirit”, tha fermerja, Kasjana Rrustemi
Për familjet që prej vitesh merren me kultivimin e ullirit në Lunxhëri, kjo është një periudhë ku puna në ullishte kthehet në përkushtim të përditshëm. Synimi mbetet jo vetëm sigurimi i një prodhimi të mbarë, por edhe ruajtja e cilësisë së vajit të ullirit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




