
Një incident i dhunshëm ka tronditur botën e arteve marciale mikse (MMA), pasi ish-kampioni i UFC-së në peshën bantamëeight, Merab Dvalishvili, dhe kampioni i PFL-së në peshën lightëeight, Usman Nurmagomedov, janë përfshirë në një përplasje fizike të mërkurën në Abu Dhabi.
Ngjarja është filmuar dhe pamjet kanë qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale. Në videot e publikuara, Nurmagomedov shihet duke iu afruar nga pas luftëtarit gjeorgjian dhe duke e goditur me shuplakë në fytyrë. Pas këtij veprimi, Dvalishvili tenton t’i kundërpërgjigjet, ndërsa situata përshkallëzohet me përfshirjen e disa anëtarëve të dy kampeve.
Dvalishvili, i cili ndodhet në Abu Dhabi në prag të eventit Real American Freestyle, që zhvillohet të shtunën, publikoi më pas një video ku shfaqej me fytyrën e gjakosur. Në reagimin e tij, ai e cilësoi Nurmagomedovin dhe njerëzit e tij si “gjarpërinj”.
“Çfarë mënyre dinake, djema! Çfarë lloj luftëtarësh jeni? Çfarë burri e bën këtë? Nëse doni të provoni, hajde ta bëjmë siç duhet”, u shpreh gjeorgjiani.
Përplasja vjen në vazhdën e një rivaliteti të gjatë mes Dvalishvilit dhe kampit Nurmagomedov. Merab mposhti vëllain e Usmanit, Umar Nurmagomedov, në janar të vitit 2025, në një duel për titullin e UFC-së. Tensionet mes dy kampeve ishin shfaqur edhe në korrik, gjatë një tjetër eventi RAF në Gjeorgji.
