Komuna e Prishtinës ka nisur zbatimin e masave alternative për përmirësimin e gjendjes me mbeturina, duke përfshirë sektorin privat dhe bashkëpunimin me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në kuadër të këtij angazhimi janë vënë në dispozicion 14 kamionë për pastrimin e kryeqytetit, ndërsa në ditët në vijim pritet të angazhohen edhe 10 të tjerë, duke e çuar numrin në 24.
Rama ka thënë se këto masa janë ndërmarrë për të përballuar situatën me mbeturinat, ndërsa ka akuzuar nivelin qendror për bllokimin e një projekti prej 72 milionë eurosh, i cili, sipas tij, do të mundësonte blerjen e më shumë se 100 kamionëve dhe mbi 10 mijë kontejnerëve për të gjithë rajonin e Prishtinës.
Ai ka fajësuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për bllokimin e këtij projekti, duke pretenduar se Qeveria po pengon edhe iniciativa të tjera të Komunës së Prishtinës.
“Për fat të keq, kemi një qeveri e cila vazhdimisht bllokon. 72 milionë euro kanë qenë të dedikuara për të blerë më shumë se 100 kamionë dhe mbi 10 mijë kontejnerë, për ta zgjidhur problemin jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë rajonin. Ky proces është bllokuar nga niveli qendror, pikërisht nga Hekuran Murati”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se Komuna ka ndarë buxhet shtesë për përfshirjen e sektorit privat në pastrimin e kryeqytetit, në bashkëpunim me UNDP-në. Sipas tij, janë ndarë pesë milionë euro për këtë bashkëpunim.
Rama ka kritikuar gjithashtu Qeverinë për shpalljen të jashtëligjshme të iniciativës për themelimin e një kompanie të re të pastrimit në kryeqytet, duke thënë se komuna të tjera kanë ndërmarrë iniciativa të ngjashme pa u përballur me të njëjtat pengesa.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, ka thënë se angazhimi i operatorëve privatë është i domosdoshëm për përballimin e situatës aktuale me mbeturinat.
Ai ka vlerësuar se kjo gjendje do të mund të shmangej nëse do të nënshkruhej garancioni i kredisë me bankën gjermane KfW, përmes së cilës do të siguroheshin 100 kamionë dhe 10 mijë kontejnerë.
Retkoceri ka theksuar se ndarja e pesë milionë eurove nga Kuvendi Komunal për bashkëpunimin me UNDP-në është një masë e nevojshme, por jo zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave.
Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave që të mos e bllokojë projektin e KfW-së, duke shtuar se Komuna do të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e gjendjes në kryeqytet.