Fundi i një legjende detare, fundoset qëllimisht anija “SS United States” (VIDEO)

Një prej anijeve më të famshme në historinë e lundrimit, SS United States, është fundosur qëllimisht të mërkurën, më 11 nëntor, në brigjet e Floridës, me synimin për t’u shndërruar në gumë artificiale më të madhe nënujor në botë. Anija, e cila dikur mbante rekordin si transatlantiku më i shpejtë në botë dhe ishte më e gjatë se Titaniku, do të shërbejë tashmë si habitat për gjallesat detare dhe si një destinacion i ri për zhytësit.
Pas gati tre dekadash e ankoruar në Filadelfia, SS United States përfundoi udhëtimin e saj të fundit në Gjirin e Meksikës, në një zonë detare në jugperëndim të Destinit, Florida. Procesi i fundosjes zgjati disa orë dhe u realizua përmes futjes së kontrolluar të ujit në brendësi të anijes, pa përdorimin e eksplozivëve.
Historia e saj nis në vitin 1952, kur kreu udhëtimin e parë përtej Atlantikut dhe vendosi rekord shpejtësie, duke u kthyer në një simbol të fuqisë dhe përparimit të industrisë amerikane të ndërtimit të anijeve. Nga viti 1952 deri në vitin 1969, kur u tërhoq nga shërbimi, ajo realizoi qindra udhëtime transatlantike dhe transportoi mijëra pasagjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Në bord kanë udhëtuar figura të njohura si Harry Truman, Dwight Eisenhower, John F. Kennedy, Marlon Brando, Coco Chanel, Salvador Dalí, Walt Disney dhe Cary Grant.
Pas daljes nga shërbimi, anija ndryshoi disa herë pronësi dhe për vite me radhë u tentua të gjendej një zgjidhje për ta shpëtuar nga braktisja. Mes ideve të propozuara ishte shndërrimi i saj në muze ose hotel lundrues, por asnjë prej projekteve nuk arriti të realizohej. Përpjekjet e organizatës SS United States Conservancy për ta ruajtur anijen dhe për të shmangur fundosjen nuk patën sukses.
Kështu, një prej simboleve të epokës së artë të udhëtimeve transatlantike mbyll historinë e saj si anije pasagjerësh, për të nisur një jetë të re nën ujë. Trupi i saj pritet të krijojë një mjedis të ri për zhvillimin e jetës detare, ndërsa do të tërheqë edhe turistë e zhytës nga vende të ndryshme të botës.
/vizionplus.tv




