Zgjedhjet janë mbrapa portës për zgjedhjet vendore! Opozita, hyn përsëri edhe në këto zgjedhje me një betejë të rëndësishme të humbur që do i kushtojë edhe humbjen e zgjedhje, ndarjen e re administrativo-territoriale!

Situata politike në Shqipëri, në heshtje gjithmonë ka qenë mes dy tendencave në kundërvënie, e vjetra (establishmenti) dhe e reja kundër saja (risia).

Megjithatë, nëse të kaluarën kjo situatë ka qenë një sfumaturë e lehtë, sot kjo është edhe më e dukshme, sepse shumë gjëra kanë ndryshuar. Kryetari i PD, me një situatë të ndërlikuar juridike me detyrim paraqitje, nuk është më ai lideri energjike, simbol i turmave dhe i shesheve.

Gjithashtu, Rama nuk është më ai lideri i ri me shpresën për të bërë gjëra të mira si në 2013 kur fitoi mandatin e parë, por tashmë pa shumë energji, i konsumuar nga pushteti i gjatë dhe nga skandalet e shumta që kanë shoqëruar mandatet e tij edhe pse është justifikuar vazhdimisht se përgjegjësia penale është individuale.

Tashmë,  kemi një establishment të lodhur e të konsumuar nga pushteti. Tre parti të reja opozitare thyen sistemin dhe siguruan përfaqësim në Kuvend në zgjedhjet e 2025 duke dhënë një sinjal të qartë se sistemi është krisur dhe mund të bjerë.

Protestat e thuajse pesë muajve, herë të quajtura të studentëve, herë të tjera edhe e qytetarëve e ditët e fundit me tentativën e diktatit të PD për përvetësim, kanë hapur spirale të reja politike në sistem që ishte dominuar vitet e fundit nga Berisha e Rama.

Studentë vazhdojnë të protestojnë pa formuar subjekt politik, pa pasur deri më tani ambicie për pushtet. Për sa kohë nuk e ndërmarrin seriozisht një nismë të tillë ata mbetën larg sferës për marrje ose ndarje pushteti politik

Rasti i zgjedhjeve dhe i ngjarjeve në Serbi mund të jenë modele frymëzuese edhe në Shqipëri, por tani ky frymëzim nuk ka ndodhur. Në ditët në vazhdim do të jemi ndoshta dëshmitar që nëse skenari i Serbisë mund të përsëritet edhe në Shqipëri.

Ka teori të shumta për pjesëmarrjen e Opozites ne zgjedhjet vendore edhe pse në fakt dhe se facto kemi tre opozita në Shqipëri:

- Opozita institucionale e listave të PD që është shumicë në përfaqësim

- Opozita e partive të reja që morën përfaqësim në zgjedhjet e përgjithshme në zgjedhjet 2025

- Studentët/protestuesit

Teoria kryesor e artikuluar me qëllim për të mundur Ramën është ajo e një kandidati jo politik me mbështetjen e te gjithëve. Të gjithë mund të jenë dakord me këtë, por PD jo! Kjo e fundit ka dy opsione, të nxjerrë kandidatin e saj dhe të humb zgjedhjet, por të shpëtojë ekzistencën e saj politik ose të pranojë një kandidat jo partiak që mund të fitojë zgjedhjet, por PD rrezikon të zhduket ose të margjinalizohet duke humbur dominimin opozitar. Prandaj, nën hundë ata që janë deputet në listat e PD dhe jo vetëm artikulojnë se nuk është mëkat të jetë edhe një kandidat politik që vjen nga radhët e këtij subjekti politik.

Këto zgjedhje janë kthyer në një festival me propozime, aludime dhe teori nga më të ndryshmet. Kjo sigurisht lidhet edhe me faktin se humbja është shumë e mundur dhe nëse ndodhë, lidershipi i Berishës do të vihej në një diskutim serioz.

Mundësia më e mirë do të ishte që PD të mos hynte fare në zgjedhje, por tashmë që këtë zgjidhje nuk mund t'a bëjnë. Dilemat vetëm për humbje personale me kandidat politik, apo humbje kolektive me një kandidat jo politik, nuk e zgjidhin ekuacionin se si opozita duhet të fitojë zgjedhjet. Mund të ndryshohen të panjohura e ekuacionit, por përfundimi i humbjes duket se mbetet i pandryshuar.