Qarku i Korçës po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë demografike, ku rënia e lindshmërisë dhe largimi i të rinjve po përshpejtojnë plakjen dhe boshatisjen e popullsisë.
Shifrat për nëntë muajt e parë të vitit 2026 tregojnë një bilanc shqetësues: janë regjistruar 1 456 vdekje, ndërsa numri i lindjeve ka qenë vetëm 700.
Diferenca mes tyre është 756 persona më pak, ndërsa vetëm gjatë tremujorit të tretë vdekjet kanë qenë 220 më shumë se lindjet.
Për sociologen Maria Dojçe, pas këtyre shifrave nuk qëndron vetëm rënia e lindshmërisë, por edhe largimi i vazhdueshëm i të rinjve.
Sipas saj, mungesa e industrisë, vendeve të punës dhe pagave të kënaqshme po e bën gjithnjë e më të vështirë krijimin e kushteve për një jetë të qëndrueshme në Korçë.
Emigracioni mbetet një nga faktorët kryesorë që po ndikon në përkeqësimin e situatës.
Një pjesë e të rinjve që largohen krijojnë familje dhe integrohen në vendet pritëse, duke u shkëputur gradualisht nga vendlindja.
Ky fenomen rrezikon të thellojë më tej boshatisjen e qytetit dhe të sjellë mungesë të fuqisë punëtore në vitet e ardhshme.
Përballë kësaj situate, sociologia thekson nevojën për politika konkrete sociale dhe ekonomike, të cilat të krijojnë mundësi punësimi, siguri dhe perspektivë për të rinjtë.
Vetëm përmes kushteve më të mira të jetesës dhe punësimit, sipas saj, mund të frenohet largimi dhe të nxiten të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.













