Pas skandalit me mbetjet e rrezikshme, Ministria i heq lejen kompanisë Kurum
Ministria e Mjedisit ka vendosur t’i heqë lejen mjedisore të tipit A kompanisë turke Kurum International, duke prekur aktivitetet e saj industriale në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Vendimi vjen në një moment kur kompania ndodhet prej rreth dy vitesh nën hetim për çështjen e transportimit të mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Urdhri është firmosur më 3 nëntor 2026 nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, me numër 540. Përmes këtij akti është shfuqizuar leja mjedisore që i ishte dhënë kompanisë në shtator të vitit 2016, duke i hapur rrugë ndërprerjes së veprimtarive të mbuluara nga ky autorizim.
Vendimi përfshin disa nga proceset kryesore industriale të Kurum International, mes të cilave prodhimin e çelikut, shkrirjen dhe përpunimin e metaleve, aktivitetin e fonderisë, saldimin, si dhe prodhimin e gëlqeres.
Nisma për heqjen e lejes ka ardhur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), e cila ka propozuar masën që më pas është miratuar nga Ministria e Mjedisit.
Nga skandali i mbetjeve të rrezikshme te heqja e lejes mjedisore
Vendimi i fundit rikthen në vëmendje çështjen e 2,800 tonëve mbetje të rrezikshme, të cilat u nisën nga porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe u rikthyen në Shqipëri pasi u konstatuan shqetësime për natyrën dhe rrezikshmërinë e ngarkesës.
Pikërisht kjo çështje është në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Durrësit, të cilat kanë përfshirë edhe aktivitetin e kompanisë Kurum. Transportimi ndërkombëtar i mbetjeve dhe kthimi i tyre në vend shkaktuan një debat të gjerë mbi kontrollin e mbetjeve industriale dhe përgjegjësinë e institucioneve për mbikëqyrjen e tyre.
Në shkurt të vitit 2026, Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 urdhërarreste në kuadër të hetimeve për këtë çështje. Mes personave ndaj të cilëve u kërkuan masa sigurie kishte edhe funksionarë shtetërorë.
Heqja e lejes mjedisore për Kurum International përbën një zhvillim të rëndësishëm për aktivitetin e kompanisë në Elbasan, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë pasojash konkrete do të ketë ky vendim për veprimtarinë industriale dhe ecurinë e mëtejshme të çështjes së mbetjeve të rrezikshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



