Trajneri i Kombëtares shqiptare U-19, Fatjon Tafaj, beson se Alen Vukaj, talenti i Primavera-s së Interit, ka potencialin për t’u rritur edhe më shumë në klubin zikaltër.

Pas golit spektakolar ndaj Feyenoordit dhe një tjetër realizimi mjaft të bukur kundër Shakhtar Donetsk në UEFA Youth League, futbollisti shqiptar duhet të vijojë procesin e maturimit përmes punës, përkushtimit dhe dëshirës për të arritur majat. Në një intervistë, Tafaj rrëfen përshtypjet e para për Vukajn, cilësitë që e dallojnë dhe arsyen pse e krahason me yllin e futbollit botëror, Jamal Musiala.

Çfarë menduat për herë të parë kur e patë Vukajn të luante me ekipet e moshave të Shqipërisë?

“Për të qenë i sinqertë, përshtypja ime e parë për Alenin nuk ishte plotësisht ajo që prisja. Në atë periudhë sapo isha emëruar trajner i ekipit dhe, gjatë seancës së parë stërvitore që zhvilluam së bashku, mënyra se si u paraqit nuk ishte në nivelin e pritshmërive që kisha për të. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se Aleni vinte pas një dëmtimi, rrethanë që mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij fizike dhe ritmin e stërvitjes. Në ndeshjen e parë i dhashë pak hapësirë dhe ai luajti vetëm disa minuta. Në të dytën, përkundrazi, prania e tij në fushë pati një ndikim dukshëm pozitiv dhe fillova të kuptoja më mirë cilësitë dhe potencialin e tij. Që nga ai moment, paraqitjet e tij kanë ardhur vazhdimisht në rritje dhe sot mund të them se është një lojtar që e ka fituar vlerësimin dhe besimin tim”.

A është një lider që e tërheq skuadrën përpara?

“Mendoj se Aleni është një lojtar që mund të ndikojë pozitivisht te skuadra, jo vetëm falë cilësive individuale, por edhe mënyrës se si e kupton dhe e interpreton lojën. Është një futbollist që merr përsipër përgjegjësi, nuk fshihet në momentet e vështira dhe ka aftësinë të marrë iniciativa për të ndihmuar ekipin”.

Me ju ka luajtur 7 ndeshje dhe ka dhënë 4 asistime. Cilat janë karakteristikat e tij më të mira?

“Pa dyshim, është një lojtar që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren U-19. Ka një nivel shumë të lartë cilësor dhe do ta konsideroja një nga lojtarët me teknikën më të mirë në skuadrën tonë. Është shumë i aftë në zgjidhjen e situatave një kundër një dhe një kundër dy, si dhe ka një inteligjencë të madhe në lojë”.

Me cilin futbollist të njohur do ta krahasonit për mënyrën se si luan?

“Nuk është e lehtë për mua të bëj krahasime mes futbollistëve, sidomos kur bëhet fjalë për një lojtar kaq të ri. Megjithatë, duke marrë në konsideratë nivelin e tij teknik, inteligjencën taktike dhe aftësinë për të zgjidhur situatat individuale, veçanërisht në duelet një kundër një dhe një kundër dy, mund të them se ka karakteristika të ngjashme me futbollistë si Jamal Musiala. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”.

Top Channel