Vendimi i Gjykatës së Lartë në Turqi për lirimin e Hakan Aysal, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij shtatzënë, ka shkaktuar reagime të forta në vend. Ai akuzohet se në vitin 2018 e shtyu gruan e tij, Semra Aysal, nga një shkëmb në Luginën e Fluturave, në rajonin e Muglas, ndërsa ajo ishte shtatzënë në muajin e shtatë.
Këshilli i Përgjithshëm i Çështjeve Penale i Gjykatës së Lartë ka vendosur lirimin e tij, duke rrëzuar dënimin e mëparshëm. Avokati i Hakan Aysal e ka cilësuar vendimin si një tregues se dënimi me burgim të përjetshëm me rrethana rënduese, i dhënë ndaj klientit të tij, ishte i padrejtë. Ai ka ngritur gjithashtu pretendime për paraburgimin e klientit, i cili zgjati gjashtë vite, duke deklaruar se rreth katër prej tyre i kishte kaluar në izolim, në një qeli të vetme.
Ngjarja tragjike ndodhi më 19 qershor 2018, kur Semra Aysal ra nga shkëmbinjtë në Luginën e Fluturave, teksa po pozonte për fotografi. Si ajo, ashtu edhe foshnja shtatëmuajshe që mbante në bark, humbën jetën.
Gjatë hetimeve u zbulua se Hakan Aysal kishte bërë një siguracion personal nga aksidentet për bashkëshorten e tij, pak kohë përpara ngjarjes. Polica kishte një vlerë prej 400 mijë lirash turke, rreth 7,100 euro sipas kursit aktual të këmbimit.
Hakan Aysal u arrestua më 21 nëntor 2020 dhe më pas u dënua nga Gjykata e Parë Penale e Fethiyes me burgim të përjetshëm për vrasjen me paramendim të një familjari të afërt.
Vendimi i fundit për lirimin e tij ka rikthyer vëmendjen te një prej rasteve më të bujshme të vrasjeve në Turqi. Ndërkohë, pretendimet e palëve lidhur me vendimin e Gjykatës së Lartë kanë nxitur debat të gjerë në opinionin publik.
