Dogana ka bllokuar mbi 2,1 ton produkte ushqimore e lodra për fëmijë të cilat nuk kishin të regjistruar afatin e skadencës në etiketë.

Bëhet fjalë për një ngarkesë prej 156 mijë njësish produkte, të cilat do të qëndrojnë të bllokuara deri në përfundimin e verifikimeve.

Njoftimi i plotë

Tiranë, dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore e lodra për fëmijë

- Administrata Doganore, e angazhuar për mbrojtjen e sigurisë dhe  interesave të konsumatorëve

Në kuadër të kontrolleve doganore të bazuara në analizën e riskut, Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, konstatoi një ngarkesë prej 156 mijë njësish produktesh ushqimore e lodra të ambalazhuara, me parregullsi në përmbushjen e kërkesave të detyrueshme të etiketimit.

Gjatë kontrollit fizik u evidentua mungesa e informacionit mbi datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit në etiketimin e produkteve përfundimtare, sipas kërkesave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 434, datë 11.07.2018, “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”.

Nisur nga ndjeshmëria e lartë e rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar nga Dogana e Tiranës dhe strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme angazhimin maksimal për kryerjen e verifikimeve dhe trajtimin ligjor të mëtejshëm.

Për parregullsitë e konstatuara, autoritetet doganore vendosën bllokimin e ngarkesës dhe mosçlirimin e mallrave, deri në përfundimin e procedurave dhe verifikimeve  ligjore.

Administrata Doganore Shqiptare vijon kontrollet për garantimin e respektimit të kërkesave ligjore për mallrat e importuara, parandalimin e vendosjes në treg të produkteve të papërputhshme dhe mbrojtjen e sigurisë e të interesave të konsumatorëve.