Kostoja e punës për bizneset u rrit me 43% në katër vjet, arrin në 100 mijë lekë në muaj

Kostoja mesatare mujore e punës për një të punësuar në Shqipëri arriti në 98,561 lekë në vitin 2024, me një rritje prej 42.9% krahasuar me vitin 2020, kur ishte 68,961 lekë.
Sipas Anketës së Kostos së Punës, të publikuar nga INSTAT, punëdhënësit shpenzojnë mesatarisht 29,600 lekë më shumë në muaj për çdo punonjës me kohë të plotë sesa katër vjet më parë.
Rritja e kostos së punës është ndjeshëm më e lartë se në periudhën e mëparshme katërvjeçare. Nga viti 2016 në vitin 2020, kostoja mesatare mujore ishte rritur nga 61,780 lekë në 68,961 lekë, ose me 11.6%. Në katër vitet pasuese, ritmi i rritjes u përshpejtua në 42.9%.
Sipas INSTAT, kostoja mesatare vjetore e punës arriti në 1.18 milionë lekë në vitin 2024, ndërsa kostoja për një orë pune ishte 559 lekë, nga 391 lekë në vitin 2020, me një rritje prej rreth 43%.
Kostoja e punës përfshin jo vetëm pagën bruto të punonjësit, por edhe kontributet e sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi, shpenzimet për trajnim, rekrutim dhe kosto të tjera të lidhura me punësimin.
Nga struktura e kostos totale në vitin 2024, rreth 85.5% përfaqësohej nga pagat, shpërblimet dhe shtesat, ndërsa 14.3% nga kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi. Vetëm 0.2% shkonte për trajnim profesional dhe shpenzime të tjera.
Financat dhe teknologjia, sektorët me koston më të lartë
Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve vazhdojnë të kenë koston më të lartë të punës në ekonomi. Në vitin 2024, kostoja mesatare për një orë pune në këtë sektor arriti në 1,066 lekë, pothuajse dyfishin e mesatares kombëtare.
Në vend të dytë renditet informacioni dhe komunikacioni, me 844 lekë për orë pune, i ndjekur nga industria nxjerrëse, me 836 lekë, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, me 787 lekë, dhe arsimi, me 756 lekë.
Në krahun tjetër, kostoja më e ulët është në akomodim dhe shërbimin ushqimor, me 377 lekë për orë pune. Industria përpunuese ka një kosto prej 398 lekësh, ndërsa sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve, 414 lekë.
Ndërtimi, një nga sektorët me zgjerimin më të shpejtë të aktivitetit gjatë viteve të fundit, kishte një kosto mesatare prej 450 lekësh për orë pune, nën mesataren kombëtare prej 559 lekësh.
Diferencat janë të ndjeshme edhe sipas madhësisë së ndërmarrjeve. Kompanitë me 10–49 punonjës kishin një kosto mesatare prej 480 lekësh për orë pune, ndërsa ato me mbi 1,000 punonjës arrinin në 685 lekë.
Rritja e shpejtë e kostos së punës gjatë periudhës 2020–2024 ka shtuar presionin mbi shpenzimet e bizneseve, veçanërisht në aktivitetet që përdorin intensivisht fuqinë punëtore. Për sektorët eksportues, kjo është një kosto shtesë që ndikon në konkurrueshmëri, sidomos kur bizneset kanë mundësi të kufizuara për ta transferuar rritjen e shpenzimeve në çmimet e shitjes.
INSTAT sqaron se krahasimi me vitin 2020 duhet interpretuar duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë dhe subvencionet për pagat, të cilat në statistikat e kostos së punës regjistrohen si zbritje nga shpenzimet e punëdhënësit.
Anketa për vitin 2024 mbulon ndërmarrjet jobujqësore me 10 e më shumë të punësuar dhe realizohet çdo katër vjet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











