Botë e Çuditshme

Burri që shet parcela toke në… Hënë!

Dennis Hope, një 67-vjeçar, nga Nevada e SHBA-së, ka ndërtuar një biznes të pazakontë duke shitur tokë në Hënë, Mars, Venus dhe planetë të tjerë të sistemit diellor. Ajo që nisi si një ide e pazakontë në vitin 1980, është shndërruar në një aktivitet fitimprurës, me miliona dollarë të ardhura dhe një klientelë që, sipas pretendimeve të tij, përfshin edhe politikanë e personazhe të njohur të Hollivudit.

Historia e tij nisi në një periudhë kur Hope punonte si shitës makinash të përdorura. Pasi studioi administrim biznesi dhe psikologji, ai kërkonte një mënyrë për të krijuar diçka të veçantë. Ideja i lindi gjatë një udhëtimi me makinë, në fund të viteve 1970, ndërsa filloi të shqyrtonte mundësinë e pretendimit të pronësisë mbi sipërfaqen e Hënës.

Në vitin 1980, duke studiuar Traktatin e Kombeve të Bashkuara për Hapësirën e Jashtme, të vitit 1967, Hope pretendoi se kishte gjetur një boshllëk ligjor. Sipas interpretimit të tij, dokumenti ndalonte shtetet të shpallnin pronësinë mbi trupat qiellorë, por nuk parashikonte shprehimisht të njëjtin ndalim për individët privatë.

Ai përgatiti një deklaratë ku pretendonte pronësinë mbi të gjithë sipërfaqen e Hënës, si dhe mbi tetë planetët e tjerë të sistemit diellor dhe satelitët e tyre, me përjashtim të Tokës dhe Diellit.

Më 22 nëntor 1980, Hope paraqiti dokumentet përkatëse në një zyrë qeveritare në San Francisko. Më pas, dërgoi kopje të pretendimit të tij në Kombet e Bashkuara dhe në qeverinë sovjetike, duke u kërkuar të kundërshtonin kërkesën nëse kishin pretendime ligjore.

Por përgjigjja nuk erdhi kurrë… Hope e interpretoi heshtjen si mungesë kundërshtimi dhe e konsideroi veten pronar të Hënës dhe të trupave të tjerë qiellorë. Në një intervistë, ai është shprehur se kishte menduar se në hapësirë ekzistonin shumë prona të papretenduara.

Megjithatë, ky interpretim nuk ka mbështetje në të drejtën ndërkombëtare. Por, vetëm gjashtë javë pas pretendimit të tij, Hope nisi të shiste parcela toke në Hënë. Fillimisht, një hektar kushtonte 19.95 dollarë, pa përfshirë tarifën administrative për dokumentacionin.

Në vitin 1982 ai themeloi kompaninë “Lunar Embassy”, përmes së cilës nisi të tregtonte certifikata që paraqiteshin si dokumente pronësie mbi sipërfaqe të ndryshme të Hënës. Më vonë, aktiviteti u zgjerua edhe në Mars, Venus dhe planetë të tjerë.

Çmimet kanë ndryshuar me kalimin e viteve. Aktualisht, sipas ofertave të publikuara nga kompania, një hektar tokë në Hënë kushton 34.99 dollarë. Për blerësit që dëshirojnë sipërfaqe më të mëdha, ofrohet një paketë prej 20 hektarësh me çmimin 604.80 dollarë.

Parcela të caktuara shiten edhe më shtrenjtë. Në zonën pranë vendit ku u ul sonda indiane Chandrayaan-3, në vitin 2023, çmimi arrin në 49.99 dollarë për hektar, ose 999.80 dollarë për 20 hektarë.

E njëjta tarifë prej 34.99 dollarësh për hektar aplikohet edhe për toka të pretenduara në Merkur, Venus dhe Mars. Madje, kompania ofron edhe mundësinë për të blerë të gjithë planetin Pluton për 250 mijë dollarë.

Sipas të dhënave dhe pretendimeve të publikuara për aktivitetin e tij, Hope ka pasur periudha kur shiste deri në 1,500 parcela në ditë. Nëse të gjitha do të shiteshin me çmimin fillestar prej 34.99 dollarësh për hektar, të ardhurat ditore do të kalonin 52 mijë dollarët.

Shifrat që pretendon biznesmeni janë edhe më të jashtëzakonshme. Hope deklaron se kompania e tij ka më shumë se 6 milionë klientë në të gjithë botën, të cilët kanë blerë parcela në Hënë dhe trupa të tjerë qiellorë.

Sipas tij, klientët kanë blerë gjithsej rreth 611 milionë hektarë në Hënë dhe 325 milionë hektarë në Mars. Në Venus, Merkur dhe satelitin e Jupiterit, Io, ai pretendon se janë shitur edhe 125 milionë hektarë të tjerë. Nëse këto shifra janë të sakta, bëhet fjalë për mbi një miliard hektarë tokë të tregtuar në trupa qiellorë jashtë Tokës.

Hope pretendon gjithashtu se rreth 1,800 kompani të mëdha kanë blerë sipërfaqe në Hënë, ndërsa klientët e tij vijnë nga të gjitha grupmoshat. Sipas tij, blerësi më i ri ka qenë një fëmijë dyvjeçar nga Gjermania, ndërsa më i moshuari një person 97-vjeçar.

Në listën e emrave të njohur që thuhet se kanë blerë certifikata përfshihen ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter, Ronald Reagan dhe George H.W. Bush, si dhe aktorët Nicole Kidman, John Travolta, Tom Cruise, Clint Eastwood e Tom Hanks. Mes emrave të përmendur është edhe krijuesi i sagës “Star Wars”, George Lucas.

Kompania pretendon se ka tërhequr interes edhe nga gjigantë të industrisë hoteliere, si Hilton dhe Marriott. Sipas raportimeve të cituara nga Politico, në vitin 2019 të ardhurat e Hope nga ky aktivitet kishin arritur të paktën 12 milionë dollarë, ndërsa vlera e kompanisë vlerësohej në më shumë se 50 milionë dollarë.

Biznesmeni nuk u mjaftua vetëm me shitjen e certifikatave. Në vitin 2004 ai krijoi atë që e quajti “Qeveria Galaktike”, një strukturë që, sipas tij, administron territoret jashtë Tokës mbi të cilat pretendon pronësinë. Kjo qeveri e vetëshpallur ka kushtetutën, parlamentin, zyrën e patentave dhe madje edhe monedhën e saj, të quajtur “Delta”.

Hope ka pretenduar se kjo strukturë ka marrëdhënie diplomatike me më shumë se 30 qeveri në botë. Ai gjithashtu ka deklaruar se kushtetuta e saj është ratifikuar nga 173,562 pronarë tokash jashtë Tokës.

Në një tjetër përpjekje për ta bërë sistemin të funksiononte, ai iu drejtua edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke kërkuar njohjen e monedhës “Delta”, në mënyrë që ajo të mund të këmbehej me monedhat tradicionale. Kërkesa nuk u pranua. Çdo blerës merr një certifikatë të posaçme, të stampuar me ar, e cila shoqërohet edhe me të drejtën e votës në zgjedhjet e pretenduara të kësaj qeverie.

Në vitin 2009, Hope njoftoi gjithashtu se “Qeveria Galaktike” kishte patentuar një anije kozmike të quajtur “Autobusi Galaktik”, e cila, sipas pretendimeve të tij, do të mund të udhëtonte drejt Hënës për vetëm 30 minuta. Ai premtoi se fluturimet mund të nisnin në vitin 2020 dhe se në Hënë do të ndërtohej një qytet në formë piramide, ku do të jetonin 70 mijë njerëz. Projekti nuk u realizua.

Pavarësisht dokumenteve dhe certifikatave që shpërndan, pretendimet e Dennis Hope nuk njihen nga e drejta ndërkombëtare. Neni 2 i Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967 përcakton se hapësira, përfshirë Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë, nuk mund të bëhet objekt i përvetësimit kombëtar përmes sovranitetit, përdorimit, pushtimit apo mjeteve të tjera.

Ekspertët e së drejtës hapësinore argumentojnë se kjo mbrojtje nuk kufizohet vetëm te shtetet, por zbatohet edhe për individët privatë. Për këtë arsye, pretendimi i Hope se ai mund të zotërojë Hënën nuk ka bazë ligjore.

Eksperti i së drejtës hapësinore Frans von der Dunk e ka përshkruar pretendimin e tij si një pretendim të pabazë ose një mashtrim. Ndërsa Tanya Mason-Swan, zëvendësdrejtoreshë e Institutit Ndërkombëtar të Ligjit Hapësinor, ka argumentuar se traktatet ndërkombëtare për hapësirën vlejnë edhe për individët.