
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, njoftoi të enjten emërimin e Esmeralda Hasanit në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Përpara dekretimit, janë kryer të gjitha procedurat ligjore të verifikimit, siç parashikohet në ligj për rastet e emërimit në detyrë të zyrtarëve në poste të larta,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Hasani është një emër i panjohur më parë për publikun, por sipas një jetëshkrimi zyrtar që Presidenca ofroi për BIRN, mësohet se që nga viti 2021 ajo ka shërbyer si këshilltare pranë Kryeministrit Edi Rama.
Si arritje profesionale të saj konsiderohen angazhimet “në planifikimin strategjik të projekteve dhe përthithjen e fondeve për shtetin shqiptar” dhe zhvillimi i projekteve “që lidhen me sigurinë e nivelit të lartë dhe nisma në kuadër të NATO-s”.
Hasani ka përvojë në administratën publike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe menaxhimin e projekteve të BE-së, ku ka kontribuar në ngritjen e institucioneve për diasporën dhe ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare. Prej vitit 2014 është pedagoge e së Drejtës Evropiane dhe Administrative, ndërsa më herët ka ushtruar profesionin e juristes në Itali dhe ka vlerësuar për shtatë vjet projekte për Komisionin Evropian. Ka doktoraturë në shkencat politike dhe formim akademik në të drejtën ndërkombëtare dhe planifikimin e projekteve evropiane.
Esmeralda Hasani e merr detyrën e drejtimit të Shërbimeve Sekrete të vendit në një moment delikat, kur paraardhësja e saj, Vlora Hyseni, u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe ndaj saj u vendos masa e arrestit shtëpiak për veprat penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit.
Kryeministri Edi Rama, i cili kishte dalë garant për emërimin e saj në krye të SHISH, e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke apeluar mes rreshtash që përgjegjësia individuale e Hysenit të mos i faturohej forcës së tij qeverisëse.
Pas një karriere që u mbyll me shkarkim në institucionet e inteligjencës së Kosovës, Hyseni u rekrutua nga Kryeministri Rama fillimisht si këshilltare e tij për sigurinë dhe më pas si shefe e shërbimit sekret shqiptar. Emërimi i saj u kundërshtua nga opozita për shkak të pikëpyetjeve mbi karrierën e saj në Kosovë, ku ishte shkarkuar nga detyra për arsye të paqarta.






