Hyn në rend dite Ligji për Specialen, Çitaku: Të hënën do të sjellim nismën e re ligjore
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar për pikë të rendit të ditës Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Të pranishëm në Kuvend ishin 84 deputetë, ndërkaq pro votuan 79.
Këtë kërkesë e bëri deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, njëherësh ushtruese e detyrës së kryetares së kësaj partie.
“Në emër të PDK-së, propozoj mocionin procedural për ndryshimin e rendit të ditës për të përfshirë edhe Ligjin për dhomat e specializuara”, tha ajo.
Çitaku tha se u janë dhënë disa këshilla e rekomandime të cilat sipas saj ligjin do ta bëjnë më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm juridikisht nga kushdo që do ta kontestonte në fazat e mëtejme.
Ajo tha se janë të vetëdijshëm se kjo mund t’ju kushtoj edhe politikisht, por sipas saj, qëllimi është më i rëndësishëm se dëmi që mund t’ju bëhet si parti.
“E kemi marr me bindje të plotë se mund të bëjmë ndryshime në të”, tha ajo.
Çitaku kërkoi që sot të votohet ligji dhe pastaj të hënën të filloj procedura e amendamentimit.
“Ju ftoj që sot ta miratojmë Ligjin dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit dhe këtij procesi për të treguar seriozitet, t'i japim dy javë kohë...”, tha ajo.
Çitaku u zotua se të hënën do të sjellin nismën e re ligjore dhe brenda dy jave do t’i bëjnë ndryshimet.
Ndryshe, ky mocion ka kaluar me 79 vota pro, duke hyrë si pikë e 11 e rendit të ditës. /Telegrafi/





























