Në Bursa të Turqisë nis kursi falas i gjuhës shqipe, synohet ruajtja e identitetit shqiptar te brezat e rinj

Një kurs i ri i gjuhës shqipe ka nisur në ambientet e Qendrës së Jetës Aktive në Bursa të Turqisë, me synimin për të ruajtur gjuhën dhe identitetin shqiptar te brezat e rinj të komunitetit shqiptar që jeton në këtë qytet.
Kursi po mbahet nën drejtimin e mësueses Teuta Tabaku, ndërsa pjesëmarrësit kanë përfituar edhe tekste mësimore falas, të cilat janë dhuratë e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Edhe mësimdhënia ofrohet pa pagesë, duke u mundësuar fëmijëve dhe pjesëmarrësve të tjerë të mësojnë gjuhën shqipe, si dhe të njihen më nga afër me kulturën dhe traditat shqiptare.
Mësuesja Teuta Tabaku ka theksuar se kjo nismë synon të mbështesë ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar te gjeneratat e reja të komunitetit shqiptar në Bursa.
Përmes këtij kursi synohet që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në Turqi të kenë mundësi të mësojnë gjuhën e të parëve të tyre dhe të mbajnë gjallë lidhjet me kulturën, traditat dhe prejardhjen shqiptare./Telegrafi/


































