Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, autoritetet ngritën aktakuzë në mungesë për rastin. Ndërkohë, Mirjeta Zeka-Shabani rezulton e zhdukur prej shtatë vjetësh dhe hetimi për fatin e saj është ndërprerë që nga viti 2023.
Këto janë dy prej pesë rasteve të vrasjes ose zhdukjes së grave në Kosovë të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, me qëllim për të kuptuar arsyet e zvarritjes së drejtësisë, ecurinë e hetimeve dhe gjykimeve, si dhe përgjegjësinë e zyrtarëve kur institucionet janë konstatuar se nuk i kanë mbrojtur gratë.
Të lidhura
None found
Mirjeta Zeka-Shabani u pa për herë të fundit në fund të marsit të vitit 2019, kur ndodhej në shtëpinë e saj në Sfaracak të Vushtrrisë. Në atë kohë, 41-vjeçarja jetonte me bashkëshortin në Gjermani.
Vëllai i saj e denoncoi zhdukjen rreth katër muaj më vonë, pasi nuk kishte mundur të lidhej as me të motrën dhe as me bashkëshortin e saj. Deri atëherë, ai kishte besuar se çifti ishte kthyer në Gjermani një ditë pas vizitës së marsit.
Prokuroria e trajton çështjen si vrasje të rëndë, por hetimet janë pezulluar që nga korriku i vitit 2023. Bashkëshorti i Mirjetës është marrë në pyetje si i dyshuar, por nuk është arrestuar asnjëherë.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës i deklaroi Radios Evropa e Lirë [REL] se procedura mbetet e ndalur për shkak të “rrethanave objektive të cilat përkohësisht e pengojnë zhvillimin” e hetimeve.
Sipas avokatit të familjes, Amer Alija, hetimi është pezulluar me arsyetimin se duhet të dëgjohen edhe disa dëshmitarë që jetojnë jashtë Kosovës.
REL mëson se bëhet fjalë për disa familjare të bashkëshortit të viktimës, të cilat janë përfshirë në listën e ndalimit kufitar dhe nuk mund të hyjnë në Kosovë pa u përballur me këtë masë.
Avokati Alija e konsideron rastin të shoqëruar nga neglizhenca institucionale dhe kërkon që atë ta marrë një prokurori tjetër, me ritëm dhe efikasitet më të madh.
“Rastin e Mirjeta Zekës ta marrin nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ta transferojnë në Prishtinë, të caktohet një prokuror i ri i rastit, të formohet një ekip hetues dhe të rihapen hetimet dhe besoj që me një efikasitet në hetime ky rast do të zbardhet”, tha ai për REL.
Edhe çështja e Donjeta Pajazitajt, e vrarë në nëntor të vitit 2015 në Strellc të Deçanit, kaloi në disa shkallë gjyqësore. Më 6 prill 2023, Gjykata Supreme e liroi përfundimisht nga akuzat kushëririn e saj, Naser Pajazitaj.
Tani, 11 vjet pas vrasjes, nuk ka asnjë person të arrestuar apo të dënuar për rastin.
Pas vendimit lirues, prokurorja e çështjes dërgoi një provë për ekzaminim në Byronë Federale të Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ajo nuk kishte mundur të analizohej në Turqi.
Prokuroria Themelore në Pejë i tha Radios Evropa e Lirë se rezultatet e ekzaminimit ende nuk kanë mbërritur.
“Pas pranimit të rezultateve, prokurorja e çështjes do t’i analizojë ato dhe, varësisht nga përmbajtja dhe rëndësia e tyre, do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
FBI-ja amerikane nuk pranoi të komentonte për REL lidhur me këtë çështje.
Për familjen e Donjetës, pritja e gjatë për përgjigje është kthyer në një barrë tjetër. Vëllai i saj, Shkëlqim Pajazitaj, thotë se kanë kaluar më shumë se dy vjet nga njoftimi se një video-incizim ishte dërguar te FBI-ja për ekzaminim, por familja ende nuk ka marrë rezultat.
“Rasti i Donjetës po duket se ka mbetur në harresë krejt nga institucionet përkatëse”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, familjarët ndihen të pafuqishëm për t’u kërkuar vazhdimisht llogari institucioneve. Pajazitaj shpreh gjithashtu dyshime për mënyrën se si policia e trajtoi zhdukjen e motrës, trupi i së cilës u gjet gjashtë javë më pas.
“Sikur të vepronin policia e Deçanit me më shumë urgjencë në atë kohë ndoshta do ta kishim pasur sot gjallë Donjetën”, tha ai për REL.
Më shumë se 15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit në Prishtinë, për këtë rast ka nisur procesi gjyqësor.
Më 22 tetor 2026, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë në mungesë ndaj Adnon Jasharit, ish-partnerit me të cilin Diana kishte bashkëjetuar.
Jashari akuzohet se e vrau Dianën me armë zjarri më 18 maj 2011. Përveç kësaj, ai akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Fakti që gjykimi në mungesë po nis, ndërsa Jashari ndodhet në arrati prej 15 vjetësh, shihet nga familja e Dianës si një hap përpara, por jo si përmbyllje e kërkimit të drejtësisë.
Avokati i familjes, Korab Sejdiu, pyet nëse institucionet shtetërore kanë përdorur të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale për ta sjellë të akuzuarin para drejtësisë.
“Pas 15 vjetësh, kemi të drejtë të pyesim jo vetëm se çfarë është bërë, por edhe nëse është bërë gjithçka që ka qenë e mundur për ta sjellë të akuzuarin para drejtësisë”, tha Sejdiu për REL-in.
Për një periudhë të gjatë, procesi u pengua edhe nga pamundësia për ekstradimin e Jasharit nga Spanja, një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra nga ish-partneri i saj. Ata kishin një vajzë, ndërsa Diana kishte disa muaj që ishte larguar për të jetuar në shtëpinë e prindërve.
Në vitin 2013, prindërit e saj iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë konstatoi se mosveprimi i Gjykatës në Prishtinë kishte cenuar të drejtën e Dianës për jetë dhe të drejtën për mjete juridike efektive.
Megjithatë, sipas Sejdiut, këto procedura nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë penale dhe domosdoshmërinë që rasti të përfundojë me një vendim gjyqësor.
Rasti i Sebahate Morinës është një tjetër shembull i dështimit institucional. Ajo u vra nga ish-bashkëshorti i saj më shumë se pesë vjet më parë, vetëm pak muaj pasi i kishte përfunduar urdhri i mbrojtjes.
Në mars të vitit 2023, dy vjet pas vrasjes, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se Policia e Graçanicës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk kishin përmbushur detyrimin për ta mbrojtur jetën e Sebahates.
Sipas aktgjykimit, institucionet nuk kishin reaguar në kohë, nuk kishin kryer një vlerësim të duhur të rrezikut dhe nuk kishin marrë masa parandaluese, edhe pse e dinin ose duhej ta dinin se jeta e saj ishte në rrezik.
Pas vendimit të Kushtetueses, ndaj prokurores së rastit nisi procedurë disiplinore. Ajo u ndëshkua me ulje të pagës prej 30 për qind për një vit.
Fatmir Morina, vëllai i Sebahates, e konsideron këtë masë të papërshtatshme në raport me pasojat e neglizhencës së evidentuar.
“Përveç që na mungon [Sebahatja], kemi dhe pengun që drejtësia nuk u vu në vend, ashtu siç do të duhej. Prokurorja e rastit nuk e mori dënimin e merituar, ajo u dënua vetëm me ulje të pagës për 30 për qind, për një vit. Ky ishte, do të thotë, dënimi për humbje jete”, tha ai.
Familja është e pakënaqur edhe sepse asnjë zyrtar policor nuk u ndëshkua ose shkarkua për mënyrën se si u trajtua rasti.
“Është e tmerrshme të kërkosh ndihmë në polici dhe të mos marrësh përgjigje, është e tmerrshme të mos kesh ku të drejtohesh, kur je në hall, aq më keq kur kërcënohesh për jetën”, tha Morina. “Duhet të ketë jo vetëm shkarkime, por edhe dënime sipas peshës së lëshimit që e kanë bërë”.
Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se vetëm ekzistenca e mekanizmave disiplinorë apo nisja e një hetimi nuk përbëjnë llogaridhënie, nëse procedurat nuk përfundojnë me përgjegjësi konkrete.
Sipas saj, ndëshkimi i prokurores në rastin e Sebahate Morinës ishte i pamjaftueshëm dhe nuk përputhej me peshën e shkeljeve dhe pasojat e tyre.
“Mungesa e pasojave për neglizhencën e vërtetuar, sikurse edhe masat e pamjaftueshme, kontribuojnë drejtpërdrejt në përsëritjen e dështimeve. Ato krijojnë bindjen te zyrtarët se mospërmbushja e detyrimeve ndaj viktimave të dhunës në familje mund të kalojë pa pasoja serioze ligjore dhe profesionale”, tha Rezniqi për REL.
Rezniqi vlerëson se problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e mekanizmave ndëshkues, por edhe me qasjen e disa zyrtarëve ndaj grave që kërkojnë mbrojtje.
“Zyrtarë të caktuar e shohin si problem gruan që raporton dhunën, vënë në dyshim kërkesën e saj për drejtësi dhe relativizojnë përgjegjësinë e dhunuesit. Kur veprimet dhe mosveprimet që burojnë nga kjo mendësi nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, këto praktika përforcohen dhe vazhdojnë të cenojnë sigurinë e grave”, tha ajo.
Tri ditë përpara se të vritej, Arlinda Zekaj i dërgoi një ankesë kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. Në të, ajo kundërshtonte mënyrën se si institucionet kishin vepruar në rastin e saj.
Zekaj kërkoi masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin neglizhuar detyrat zyrtare. Ajo paralajmëroi gjithashtu se jeta e saj ishte në rrezik, por tri ditë më vonë u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.
I dyshuari për vrasjen është kunati i saj. Ai u shoqërua nga zyrtarët policorë në shtëpinë e saj dhe, dhjetë minuta më vonë, u bë i dyshuar për krimin. Aktualisht ndodhet në paraburgim.
Pas vrasjes, 11 zyrtarë policorë u suspenduan. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqjen, ndërsa u suspenduan edhe kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e çështjes.
Kuvendi i Kosovës ka ngritur një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet e institucioneve dhe përgjegjësinë e tyre në këtë rast. Përfaqësues të qeverisë kanë kërkuar disa herë që ndaj personave që kanë shpërfillur thirrjet e Zekajt për ndihmë të merren jo vetëm masa disiplinore, por edhe hapa për përgjegjësi penale.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Inspektoratit Policor të Kosovës, Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor për informacion rreth hetimeve dhe masave disiplinore ndaj zyrtarëve në raste të ngjashme.
Përgjigje dha vetëm Këshilli Gjyqësor. Ky institucion tha se, nga viti 2021 deri tani, nuk ka marrë asnjë kërkesë për nisjen e hetimeve disiplinore për raste të tilla. Këshilli sqaroi gjithashtu se të dhënat për hetimet ose sanksionet disiplinore fshihen pas pesë vjetësh, përveç rasteve kur konstatohet shkelje e qëllimshme e ligjit ose vepër e rëndë penale.
Ndërsa familjet vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për vite me radhë, disa prej rasteve të grave të vrara ose të zhdukura në Kosovë mbeten ende pa një përfundim të qartë.







