
Vrasja e një shqiptari në lagjen Ixelles të Brukselit dhe ekzekutimi i efektivit të policisë belge, Nordine El Talbi, dyshohet se janë kryer nga i njëjti grup kriminal. Sipas gazetës belge “De Standaard”, hetuesit kanë arritur në përfundimin se dy atentatet, të ndodhura brenda pak orësh në të njëjtën mbrëmje, kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Ngjarja e parë ndodhi më 12 tetor, rreth orës 17:50, në hyrjen e një pallati në rrugën Wiertz, në zonën e Ixelles, pranë Parlamentit Europian.
Viktima ishte një shtetas shqiptar, i cili u qëllua me shtatë ose tetë plumba. Dëshmitarët raportuan se kishin parë tre ose katër persona duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta belge, shqiptari nuk rezultonte me precedentë penalë në Belgjikë. Megjithatë, mënyra e ekzekutimit dyshohet se mbart elemente të një larjeje hesapesh për çështje të lidhura me trafikun e drogës, ndërsa vrasja konsiderohet e mundshme të jetë kryer me pagesë.
Vetëm disa orë më vonë, po atë mbrëmje, u vra edhe polici belg Nordine El Talbi, 41 vjeç, në zonën e Jette. Efektivi u qëllua për vdekje ndërsa po mbikëqyrte një automjet të parkuar në Avenue Carton de Ëiart. Makina rezultonte e vjedhur më herët gjatë një grabitjeje në qytetin Tubize, në rajonin Valonia.
Fillimisht, Prokuroria e Brukselit deklaroi se nuk kishte elemente që tregonin një lidhje mes dy ngjarjeve. Por, sipas “De Standaard”, hetimet e mëtejshme dhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë kanë sjellë një zhvillim vendimtar, duke bindur hetuesit se të dy sulmet janë kryer nga i njëjti grup.
Pas dy vrasjeve, autorët e dyshuar u larguan jashtë Belgjikës. Më pak se një javë më vonë, tre prej tyre u arrestuan në Almeria të Spanjës, ndërsa dyshohet se po përpiqeshin të vazhdonin rrugën drejt Marokut. Një tjetër i dyshuar u arrestua në një stacion hekurudhor në Paris.
Sipas medias belge, të katër të arrestuarit u transferuan më pas në Belgjikë. Njëri prej tyre është i mitur.
Ndërkohë, dy persona të tjerë u arrestuan në Bruksel menjëherë pas ngjarjeve. Njëri u lirua nga dhoma e këshillimit të gjykatës për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, ndërsa tjetri vijon të qëndroj në paraburgim.




