Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar shkurt emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke e krahasuar atë me ish-drejtuesen që është nën hetim nga SPAK Vlora Hyseni.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK-u, Berisha tha se nuk i njeh funksionet dhe përvojën e Hasanit brenda shërbimit, por sipas tij për sa kohë është emëruar nga Rama nuk mund të jetë ndryshe nga paraardhësja e saj, Hyseni.
“Nuk e di se cilat kanë qenë funksionet e saj në këtë shërbim, koha e shërbimit, por një gjë është e sigurt: ajo, kur emërohet nga Edi Rama, është Vlora bis, nuk mund të jetë ndryshe, vetëm simotër e Vlorës. Një gjë është e sigurt”, u shpreh Berisha.
Presidenti Bajram Begaj dekretoi drejtuesen e re të Shërbimit Informativ Shtetëror. Esmeralda Hasani do të marrë drejtimin e SHISH pas shkarkimit nga kjo detyrë të Vlora Hysenit, e cila akuzohet për bashkëpunimet me grupet kriminale dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore.










