Në një shoqëri demokratike media dhe Drejtësia “notojnë” në të njëjtin drejtim: Zbulimi i të vërtetës! Nuk është vetëm një mision formal i shkruar në traktate, në letër, është natyra e tyre e vërtetë. Kanë lindur për këtë.
Po të masim se sa energji ka harxhur politika shqiptare për sulmin ndaj medias dhe drejtësisë në tranzicionin tonë të gjatë, kushedi sa herë do të kalonte peshën e gjithë kilometrave që na kufizojnë, të marra bashkë.
Një shoqëri duhet t’i mbrojë gazetarët dhe njerëzit e Drejtësisë së saj pavarësisht antipative që mund të krijojnë. Një gazetar, një prokuror, një gjykatës, nuk duhet të jenë “simpatikë” “të dashur” “gazmorë” “spektakolarë”, "popullorë"… gazetarë e njerëz të drejtësisë duhet të masin e të peshojnë të Vërtetën e të drejtën për të ndihmuar shoqërinë që të shohë dhe të mendojë më mirë.
Bezdisja nga Drejtësia dhe Gazetaria nuk është vetëm një problem shqiptar; sot është global. Dhe përherë e më shumë politika shpik “gracka” që përpiqen t’i mbajnë nën fre. Sì per shembull “dekriminalizimi total i shpifjes”, një merak që disa burokratë e përmendin si një “kujdes” të posaçëm ndaj gazetarëve, por që i tillë nuk është. Dekriminalizimi i shpifjes dhe i ofendimit bazuar në shpifje nuk është mbrojtje për gazetarët e vërtetë. Ata, kudo që ndodhen dhe janë përballur në sallat e Drejtësisë me politikanë, biznesmenë, kriminelë që i kanë akuzuar për shpifje, i kanë fituar çështjet. Dekriminalizimi i shpifjes mbron dhe mban ngrohtë si në inkubator një tjetër armatë shpifësish të vërtetë, të cilët lindën në mes të viteve ‘90 tek ne dhe lulëzuan me social mediat duke krijuar atë që gazetarët e vërtetë luftojnë: Maskimin dhe depistimin ndaj të vërtetës përmes “gjoja-gazetarisë”, një vlerë që del në sipërfaqe me shumë punë dhe vështirësi. Dekriminalizimi i shpifjes, shton dhe mbron shpifjen. Asgjë më shumë.
Një shoqëri që kërkon vërtetë zhvillim dhe progres duhet të mbrojë me të gjitha forcat e saj shtyllat e demokracisë. Gazetaria dhe njerëzit e Drejtësisë janë pasqyra ku shoqëria mund të shohë veten për të mbrojtur të vërtetën. Dhe kjo pasqyrë duhet të ruhet e pandotur nga shpifësit që politika ëndërron t'i shtojë përditë. Sulmi sistematik i politikanëve ndaj gazetarëve më të mirë, është prova që i serviret si fakt gjithë shoqërisë. Por në pyllin e dendur nga shpifësit profesionalë, të ushqyer nga intrigat e politikës, sa do të zgjasë koha që të ekzistojnë ende gazetarët e vërtetë? Po njerëzit e Drejtësisë?











Komente
Komento