Rrashbulli, vetëm pak minuta larg Durrësit, por me vite i harruar: Banorët kërkojnë ndërhyrjen e bashkisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.11.2026, 12:13

Vetëm 5 minuta larg qytetit të Durrësit, në zonën e Rrashbullit, banorët vijojnë të përballen me mungesë infrastrukture dhe neglizhencë në mirëmbajtjen e hapësirave publike.

Përmes një videoje të dërguar në redaksinë tonë, banorët denoncojnë gjendjen e rënduar të lagjes, ku rrugët janë të pashtruara dhe ndërhyrjet për mirëmbajtjen e tyre mungojnë. Sipas tyre, edhe pse kanë kaluar rreth 7 vite nga pastrimi i kanalit, inertet e nxjerra prej tij vijojnë të qëndrojnë të papastruara, pikërisht përpara banesave të tyre.

Një tjetër shqetësim madhor është edhe ura që banorët detyrohen të kalojnë çdo ditë.

Për shkak të mungesës së një rruge të shtruar që lidh lagjen me pjesën tjetër të zonës, ata janë të detyruar të parkojnë automjetet në anën tjetër dhe të kalojnë përmes kësaj ure për të shkuar në banesat e tyre.

Përveç infrastrukturës, banorët kërkojnë edhe mbylljen e kanalit, pasi sipas tyre ai përmban shumë pak ujë dhe, për shkak të afërsisë me banesat, është kthyer në një vend ku hidhen mbeturina. Kjo situatë, thonë ata, shkakton erëra të pakëndshme dhe shqetësime të vazhdueshme për komunitetin.

Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Durrës që të marrë masa konkrete për pastrimin e inerteve, sistemimin e rrugës, ndërhyrjen në urë dhe shqyrtimin e mundësisë për mbylljen e kanalit.

"Edhe ne jemi qytetarë të Durrësit dhe meritojmë infrastrukturë dhe kushte normale jetese", shprehen banorët, të cilët kërkojnë që shqetësimi i tyre të mos mbetet më pa përgjigje.

Ata shpresojnë që publikimi i këtij denoncimi të sjellë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe një zgjidhje përfundimtare për problemet me të cilat përballen prej vitesh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit