Nvidia në krizë, Bordi shqyrton shkarkimin e Jensen Huang pas skandalit

Aksionet e Nvidia kanë pësuar rënie të fortë, ndërsa Bordi Drejtues i gjigantit amerikan të çipave po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Drejtorit Ekzekutiv, Jensen Huang, pas publikimit të informacioneve për dy marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave lidhet me një grua të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.
Sipas Reuters, Bordi Drejtues i Nvidia u mblodh të mërkurën për të diskutuar të ardhmen e Huang, i cili ka drejtuar kompaninë për më shumë se tri dekada dhe e ka shndërruar atë në një prej aktorëve kryesorë të industrisë globale të inteligjencës artificiale.
Kriza ka shkaktuar tronditje në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia ranë me mbi 8% në tregtimin pas mbylljes së bursës, ndërsa humbja e vlerës së tregut të kompanisë, që nga nisja e hetimeve të brendshme, vlerësohet në rreth 600 miliardë dollarë.
Në qendër të skandalit është marrëdhënia e raportuar e Huang me Alice Huang, një biznesmene që dyshohet se ka lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës. Autoritetet amerikane kanë hetuar pretendimet se ajo mund të ketë ndihmuar kompanitë kineze të sigurojnë çipa të avancuar të Nvidia, eksporti i të cilëve në Kinë është subjekt i kufizimeve amerikane.
Situata u rëndua pas një raportimi tjetër të The New York Times, sipas të cilit Huang kishte pasur një marrëdhënie edhe me Kimberly Powell, një drejtuese të lartë të Nvidia.
Huang ka pranuar publikisht se nuk i ka qenë besnik bashkëshortes, por nuk ka dhënë hollësi për marrëdhëniet e raportuara. Ai nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale.
Pasiguri për drejtimin e kompanisë
Mundësia e largimit të Huang ka ngritur shqetësime për të ardhmen e Nvidia, një kompani me vlerë tregu prej rreth 4 mijë miliardë dollarësh, e cila ka një rol qendror në zhvillimin e infrastrukturës globale të inteligjencës artificiale.
Sipas statutit të kompanisë, Huang mund të shkarkohet me votën e shumicës së anëtarëve të Bordit Drejtues. Nga 11 anëtarët e Bordit, 10 konsiderohen të pavarur.
Megjithatë, kompania nuk ka një pasardhës të përcaktuar për drejtimin ekzekutiv. Ndër emrat që përmenden si kandidatë të mundshëm janë Colette Kress, Drejtoresha Financiare e Nvidia, dhe Ian Buck, një nga drejtuesit e biznesit të qendrave të të dhënave.
Analistët paralajmërojnë se largimi i Huang mund të ndikojë në strategjinë afatgjatë të kompanisë, marrëdhëniet me klientët dhe besimin e investitorëve.
/REUTERS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









