Nga Skënder Minxhozi/
Në të hyrë të verës Tirana njohu një valë protestash që çuditën opinionin publik dhe trembën elitën politike. Masiviteti dhe paqja që i shoqëronte ishin armë para të cilave nuk mbante asnjë argument kundërshtues. Edhe kërkesat që protesta shpaloste ishin të tilla, sa detyruan edhe kryeministrin të tregohej i kursyer dhe i kujdesshëm në deklarata. Bulevardi i Tiranës u bë temë e preferuar e shtypit botëror, i nxitur fuqishëm edhe nga projekti i ishullit të Sazanit pas të cilit qëndron familja Trump.
E gjitha kjo fabul duket sot, pesë muaj më vonë, sikur i takon një dekade më parë. Është kaq e largët sa edhe imazhi i flamengove rozë të cilin nuk e gjen më askund nëpër qytet edhe sikur të rrish gjithë ditën duke e kërkuar. Ngjan e habitshme sesi protestën nuk e shbëri vapa e verës dhe as kampionati botëror apo plazhi, por e treti në ujë vjeshta me shirat e saj të paktë. Dhe për këtë fajtori tashmë dihet. Natën e 19 korrikut, kur luhej finalja e Botërorit u gjet një grup stoikësh prej disa qindra vetësh që vendosën të mos e shohin ndeshjen në emër të mbajtjes gjallë të kandilit të protestës nëpër qytet. Një detaj i vogël rezistence që tregonte vendosmëri dhe përkushtim. Sot, pa botëror në mes, pa Ksamilin e Vlorën dhe pa 40 gradët e korrikut, protesta ka firuar në një grup më të vogël sesa gazetarët e policët që e ndjekin nga pas.
Instiktivisht dhe me shumë të drejtë vetë pjesëmarrësit në protestë, flasin jo për një, por për dy të tilla. Ka dy kalkulime në lidhje me ditët e protestave. I pari, ai i flamengove që e ka kaluar shifrën e 130 ditëve dhe ky i dyti, i zjarrit dhe shkatërrimit të maskave, që është ende brenda kufirit të muajit të parë. Me fjalë të tjera, ajo e para ishte një protestë paqësore dhe kjo e dyta një vandalizëm publik nëpër rrugët e Tiranës. Një valë zjarri e urrejtjeje e verbër që mbolli shkatërrim të pronës private e publike, që dogji banka e biznese, shkuli sinjalistikën rrugore, theu xhama e tabela reklamash pafund, që detyroi të shkretët tregëtarë të ngjisin nëpër vitrina pusulla tmerri “Jemi me ju, mos na digjni” dhe që ringjalli kujtimet më të këqia të viteve ’90 për një qytet me mbi 600 mijë banorë.
Duke kujtuar se kjo dhunë e premtuar (ta shihni në shtator kur të vijnë studentët!) do ta shumëfishonte pjesëmarrjen në protestë, ata që lëvizën fijet pas perdeve i bënë shërbimin më të keq një lëvizjeje që i kishte të gjitha gjasat të kthehej në një iniciativë qytetare historike.
Ata që besuan se vandalizimi dhe djegia e kryeqytetit do të ishte shtysa finale drejt rrëzimit të qeverisë, i bënë keq llogaritë me shqiptarin e thjeshtë. I cili mund të mos e dojë fare Ramën dhe ministrat e deputetët e tij, mund edhe ta urrejë PS, PD dhe gjithë klasën e vjetër politike, por më shumë se këto së bashku urren kaosin, shkatërrimin dhe gjuhën e pisët të rrjeteve sociale, ku gjithfarë anonimësh flisnin në emër të protestës me një fjalor të denjë për endecakët pijanecë të një klubi periferie.
Protestën nuk e tkurrën Rama me Berishën. Ata kanë dashur ta bëjnë këtë që nga dita e parë e saj, por protesta ra vetëm në shtator. Kur në skenë dolën maksat dhe dhuna. Shkaktarja kryesore e dështimit të kësaj proteste nuk ishte politika tradicionale. Natyrisht dy dinosaurët PS e PD mund ta kenë ushqyer cinikisht dhunën për ta diskretituar protestën, por fakti që vetë kjo lëvizje paqësore e mirëpriti fillimisht këtë ndryshim radikal sjelljeje (u përpoqëm paqësisht, tani s’kemi rrugë tjetër!), është një tregues i qartë i gabimit taktik që protestuesit bënë. Molotovi është sabotatori numër 1 i protestës pesëmujore, jo Rama e Berisha!
Shqiptarët pritën nga protesta klasën e re të politikanëve e menaxherëve të shtetit dhe morën maskat me shishe benzine në duar. Ky transformim “oferte” nga paqja e parullave dhe flamengove tek dhuna e djegia e kryeqytetit, është akti që preu si me thikë fatin e protestës së Tiranës. E cila nuk është më as protestë për Zvërnecin, e as për zogjtë e lagunës së Nartës por është thjeshtë një akumulim vulgariteti dhe kriminaliteti me maskë. Protestës i mungoi fytyra, idea dhe vizioni. I mungoi dje kur ishin të paqtë, i mungon dhe sot kur paraqiten si një organizim maskash. Fshehja dhe dhuna janë autorët e dështimit të stinës së sapombyllur të protestave!
Protesta i ka lënë aty kërkesat dhe hallet që ka ngritur dhe u ka dhënë zë. Ajo ka humbur një takim me historinë, duke refuzuar me kokëfortësi të futet në ujë e të garojë për t’i zgjidhur krizat që anatemoi publikisht për 140 ditë, por fara e pakënaqësisë popullore është ende e gjallë dhe prezente në jetën shqiptare. Prandaj edhe politika vijon të mos jetë e qetë me këtë paqe të brishtë dhe kalimtare. Dhe ka të drejtë.









