Hiqet leja mjedisore e “Kurum”, vendimi i Ministrisë së Mjedisit, për shkak të shkeljeve ligjore

Ministria e Mjedisit i ka hequr lejen mjedisore kompanisë Kurum International, për aktivitetin e saj në zonën e ish kombinatit Metalurgjiku në Elbasan. Vendimi është marrë nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili më 3 nëntor 2026 ka firmosur urdhrin nr. 540 për shfuqizimin e lejes mjedisore të tipit A të lëshuar për kompaninë në shtator të vitit 2016.
Vendimi prek një sërë aktivitetesh industriale të KURUM, përfshirë prodhimin e çelikut, shkrirjen e metaleve, fonderinë, përpunimin dhe saldimin e metaleve, si dhe prodhimin e gëlqeres.
Propozimi për pezullimin e lejes së Kurum erdhi nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe u miratua nga Ministria.
Vendimi vjen pas 2 vitesh që kompania turke është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit për ngarkesën e mbetjeve të rrezikshme të nisura nga Durrësi drejt Tajlandës dhe më pas të kthyera në Shqipëri për shkak të rrezikshmërisë që paraqisnin.
Lidhur me ngarkesën e rrezikshme prej 2800 tonë prokuroria e Durrësit në shkurt të vitit 2026 lëshoi 33 urdhërarreste, prej të cilëve edhe funksionarë që mbajnë detyra shtetërore.
Kompania turke “Kurum International” operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim.
/vizionplus.tv




