Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e Esmeralda Hasanit në detyrën e Drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, vendimi është marrë pas propozimit të Kryeministrit dhe në mbështetje të dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe ligjit për SHISH-in. Presidenca bën të ditur se përpara emërimit janë përfunduar të gjitha procedurat ligjore të verifikimit për postet e larta shtetërore.
Esmeralda Hasani është diplomuar në të drejtën ndërkombëtare në Milano dhe ka përfunduar një master për planifikimin dhe zhvillimin e projekteve në Innovation Business School në Bruksel.
Ajo ka qenë lektore e së drejtës evropiane dhe procesit të integrimit në Universitetin Barleti. Në periudhën 2015–2019 ka drejtuar Institutin për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, ndërsa më pas ka mbajtur detyrën e drejtoreshës ekzekutive të Institutit Adriapol.
Hasani ka shërbyer gjithashtu si konsulente e lartë pranë zyrës së Kryeministrit për planifikimin e projekteve dhe sigurimin e financimeve. Në karrierën e saj në institucionet shtetërore, ajo ka mbajtur edhe pozicionin e shefes së Departamentit Mbështetës në SHISH.a.b





