Fondacioni i Morattit ndahet nga Interi pas 30 vitesh: “Na vjen keq, s’mund të luajmë më në emër të klubit zikaltër”

12 Nëntor 2026
12:35
Alfred Lleshi
back button

Pas 30 vitesh aktiviteti, “Inter Campus” ndahet nga administrimi i drejtpërdrejtë i Interit dhe do të vijojë rrugëtimin si fondacion i pavarur, me mbështetjen e familjes “Moratti”. Projekti bamirës, i ideuar nga ish-presidenti Massimo Moratti, ka përfshirë rreth 10 mijë fëmijë në 31 vende të botës.

Ndarja u zyrtarizua përmes një letre të firmosur nga Massimo dhe Carlotta Moratti, ku njoftohet krijimi i fondacionit të ri “We Are The Campus”. Ndërkohë, Interi do të nisë një projekt të vetin social, duke sqaruar se bashkëpunimi do të vijojë dhe emri i klubit do të mbetet pjesë e aktiviteteve.

“10 mijë fëmijë nga 31 vende të botës falënderojnë Interin, që i shoqëroi në këtë aventurë të mrekullueshme për 30 vjet. Na vjen keq që nuk mund të luajmë më në emër të Interit, i cili do të mbetet në zemrat tona dhe në fanellat tona”, – thuhet në letër.

Carlotta Moratti sqaroi se projekti nuk ndryshon në thelb, por vetëm mënyrën e drejtimit. Sipas saj, vendimi për t’i dhënë fund administrimit të drejtpërdrejtë erdhi nga klubi zikaltër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit