
Manchester United duket se ka vendosur për trajnerin e ri. Mauricio Pochettino është shumë pranë marrjes së drejtimit të “Djajve të Kuq”, pasi emërimi i tij ka marrë edhe miratimin e një prej pronarëve të klubit, Avram Glazer.
Sipas raportimeve të medias britanike “The Sun”, marrëveshja konsiderohet praktikisht e përfunduar, ndërsa drejtuesit e United duhet të vendosin vetëm se kur do të paguajnë shumën prej 7,4 milionë paundësh për të shkëputur trajnerin argjentinas nga kontrata me Federatën Amerikane të Futbollit.
Glazer ka dhënë dritën jeshile të mërkurën në mbrëmje, gjatë një komunikimi në distancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht se Sir Jim Ratcliffe ka marrë kontrollin e operacioneve sportive që prej vitit 2024, vendimet madhore të klubit vazhdojnë të kërkojnë miratimin e pronarëve.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori i futbollit Jason Wilcox pritet të kthehen në Mançester pas takimit me Ratcliffe në Monako. Dy drejtuesit kanë paraqitur planin për pasuesin e Michael Carrick, shkarkimi i të cilit mund të zyrtarizohet të enjten.
Largimi i Carrick dhe stafit të tij pritet t’i kushtojë klubit rreth 5 milionë paund. Kështu, shpenzimet e Manchester United për emërimet dhe shkarkimet e trajnerëve në epokën pas Alex Ferguson do të kalojnë shifrën 100 milionë paund.
