Lehtësi fiskale për bizneset, kush sponsorizon aktivitete sportive e kulturore i zbritet 30% në tatimin mbi fitimin

Të gjitha bizneset, qofshin persona fizikë apo shoqëri aksionere, që sponsorizojnë aktivitete sportive apo kulturore, pritet të përfitojnë lehtësi fiskale.
Propozimi vjen nga deputeti Taulant Balla, i cili kërkon disa ndryshime në ligjin në fuqi për sponsorizimet. Sipas relacionit, subjektet që mbështesin financiarisht apo edhe përmes ofrimit të shërbimeve këto aktivitete, do të përfitojnë zbritje deri në 30% të tatimit mbi fitimin.
E thënë më thjesht, nëse një biznes ka paguar 1 milion lekë tatim mbi fitimin vitin e kaluar dhe sponsorizon një aktivitet sportiv apo kulturor, mund të përfitojë deri në 300 mijë lekë zbritje nga tatimi.
Këto ndryshime vijnë në kuadër të nismës për të nxitur artin, kulturën dhe sportin në vend, ndërkohë që bizneset do të kenë një përfitim të drejtpërdrejtë fiskal nga sponsorizimet.




