
Cristiano Ronaldo mund të jetë protagonist i një prej transferimeve më të bujshme në historinë e futbollit turk. Në orët e fundit kanë qarkulluar raportime për interesimin e Fenerbahçes për të afruar kapitenin e Al Nassr gjatë një prej merkato-ve të ardhshme, megjithëse deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për negociata mes palëve.
Sipas skenarit të publikuar në rrjetin social X, klubi turk po shqyrton mundësinë e transferimit të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, me ndihmën e biznesmenit Hakan Şafak, i cili mund të luajë rol në bindjen e portugezit dhe financimin e marrëveshjes. Në këtë projekt mund të përfshihen edhe biznesmenë të tjerë turq.
Ndërkohë, ish-presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yıldırım, thuhet se dëshiron ta shohë Ronaldon me fanellën e skuadrës nga Stambolli, duke plotësuar edhe dëshirën e vajzës së tij, Yaz, një tifoze e madhe e sulmuesit.
Sipas propozimit, Fenerbahçe mund ta sigurojë shërbimin e Ronaldos pa paguar tarifë transferimi, duke i ofruar një pagë vjetore prej rreth 50 milionë eurosh. Madje, skenari parashikon që portugezi të shënojë golin e tij të 1000-të me fanellën verdheblu.
Megjithatë, Ronaldo ka kontratë me Al Nassr deri më 30 qershor 2027, pasi rinovoi marrëveshjen në qershor të vitit 2025 për dy sezone. Ai mund të nisë negociatat me klube jashtë Arabisë Saudite nga janari 2027.
