
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se hetimet ndaj tij janë ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Meta pretendoi se SPAK ka kryer shkelje gjatë hetimeve dhe se veprimet e institucionit janë diktuar nga ndikime të jashtme.
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, u shpreh ai.
Gjatë deklaratës, Meta riktheu edhe pretendimet për ndërhyrje të ambasadave të huaja gjatë kohës kur mbante detyrën e Presidentit të Republikës, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave, të cilët, sipas tij, kërkonin që në Gjykatën Kushtetuese të emërohej Arta Vorpsi dhe jo Marsida Xhaferllari.
“Jam kërcënuar si President i Republikës nga pesë fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin pesë ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, deklaroi Meta.
Sa i përket çështjes së lobimit, për të cilën është hetuar, kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se është i gatshëm të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara me shpenzimet e tij për t’u përballur me drejtësinë, nëse autoritetet amerikane do të konstatojnë qoftë edhe një shkelje të vetme nga ana e tij.