Siemens, porositë rriten me 58% në rekord historik, inteligjenca artificiale nxit biznesin

Gjiganti gjerman Siemens regjistroi një rritje prej 58% të porosive në tremujorin e fundit të vitit fiskal 2026, duke arritur një rekord prej 34.8 miliardë eurosh, i mbështetur nga kërkesa për infrastrukturën e inteligjencës artificiale dhe kontratat e mëdha për trenat.
Fitimi i biznesit industrial u rrit me 22%, në nivelin rekord prej 3.9 miliardë eurosh, ndërsa të ardhurat u zgjeruan me 11%, në 23.7 miliardë euro, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve.
Sipas Reuters, rezultatet e publikuara më 12 nëntor e shtynë grupin gjerman të përmirësojë parashikimet për rritjen afatmesme, ndërsa kërkesa për pajisjet elektrike të qendrave të të dhënave vijon të zgjerohet me ritme të shpejta.
Porositë për pajisje të lidhura me qendrat e të dhënave u dyfishuan gjatë tremujorit. Siemens furnizon këto struktura me sisteme elektrifikimi, automatizimi dhe menaxhimi të energjisë, ndërsa investimet globale në inteligjencën artificiale po rrisin nevojën për kapacitete të reja infrastrukturore.
Kompania deklaroi se ka regjistruar rritje veçanërisht të fortë të porosive në biznesin e elektrifikimit dhe pajisjeve elektrike, përfshirë kontrata të mëdha me klientë të qendrave të të dhënave, kryesisht në SHBA dhe Europë.
Ndërkohë, divizioni Mobility, që prodhon trena dhe sisteme hekurudhore, kontribuoi ndjeshëm në rritjen e porosive, falë kontratave të mëdha të fituara gjatë periudhës.
Portofoli i përgjithshëm i porosive të papërmbushura të Siemens arriti në 143 miliardë euro, nga të cilat rreth 7 miliardë euro lidhen me produktet për qendrat e të dhënave.
Për vitin fiskal 2026, të ardhurat e Siemens arritën në 83.4 miliardë euro, me rritje të krahasueshme prej 8%, ndërsa porositë u zgjeruan me 25%, në nivelin rekord prej 108.2 miliardë eurosh.
Fitimi i biznesit industrial për gjithë vitin u rrit me 13%, në 13.3 miliardë euro, ndërsa fitimi neto arriti në 9.5 miliardë euro, nga 10.4 miliardë euro një vit më parë. Rezultati i vitit të kaluar kishte përfshirë një fitim të jashtëzakonshëm prej 2.1 miliardë eurosh nga shitja e kompanisë Innomotics.
Fluksi i lirë i parasë arriti gjithashtu nivel rekord prej 12.1 miliardë eurosh.
Pas rezultateve të forta, Siemens rriti objektivin afatmesëm për zgjerimin vjetor të të ardhurave të krahasueshme në 7-11%, nga intervali i mëparshëm prej 6-9%.
Për vitin fiskal 2027, kompania parashikon rritje të krahasueshme të të ardhurave prej 9-11%, e mbështetur nga kërkesa për infrastrukturë digjitale, elektrifikim dhe automatizim industrial.
Drejtori ekzekutiv Roland Busch deklaroi se inteligjenca artificiale industriale përfaqëson një mundësi të rëndësishme rritjeje për grupin. Të ardhurat e biznesit digjital të Siemens u rritën me 16%, në 10.9 miliardë euro gjatë vitit fiskal 2026.
Busch u shpreh gjithashtu se nuk është i shqetësuar nga mundësia e ngadalësimit të ndërtimit të qendrave të të dhënave dhe se pasiguritë rreth drejtimit të Nvidia nuk pritet të ndikojnë në bashkëpunimin mes dy kompanive.
Rezultatet u pritën pozitivisht nga investitorët, me aksionet e Siemens që u rritën rreth 4.7% në tregtimin e mëngjesit në bursën e Frankfurtit.
Siemens propozoi gjithashtu rritjen e dividendit vjetor në 5.50 euro për aksion, nga 5.35 euro një vit më parë. Kompania konfirmoi edhe planin për t’u shpërndarë aksionerëve një pjesë prej 34.1% të kapitalit të Siemens Healthineers, në kuadër të ndarjes së planifikuar të këtij biznesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









