
Gjatë qëndrimit në Dublin, ku po merr pjesë në Samitin e 9-të të Komunitetit Politik Europian, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me protestat në Shqipëri dhe interesin e Jared Kushnerit për investime në vend.
I pyetur për praninë e dhëndrit të Donald Trump në Dublin në të njëjtën ditë me të, Rama deklaroi se nuk ka marrëdhënie biznesi me të, por konfirmoi se grupi i tij ka zhvilluar diskutime për mundësi investimi në Shqipëri.
“Çfarë të di? Që është sot këtu? Pse duhet ta di? Nuk kam marrëdhënie biznesi me të. Ai është një nga investitorët që ka shfaqur interes për vendin tonë. Ka një diskutim deri tani me grupin e tij. Dhe gjejeni çfarë, nëse do ju pyes çfarë dini ju për të, do më thoni ka një ishull në Shqipëri që i është dhënë atij”, u shpreh Rama.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se ishulli i Sazanit i është dhënë Kushnerit, duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje investimi, shitje ishulli apo kërkesë për t’ia dhënë atë.
“Këtë ju ka thënë media globale, një gënjeshtër. S’ka asnjë marrëveshje, asnjë shitje ishulli, asnjë kërkesë për t’iu dhënë ishulli. Do të mbetet ishull shqiptar dhe shteti shqiptar do të jetë bashkëaksioner në investim. Por s’ka shumë vend për të vërtetën në median globale apo lokale”, deklaroi Rama.