Burgu i Fierit po përgatitet për zhvillimin e seancave gjyqësore online me GJKKO-në. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se janë testuar kushtet teknike, por marrëveshja që do të formalizojë bashkëpunimin mes institucioneve ende nuk është nënshkruar.

Testimet janë bërë gjatë vizitës së drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, në burgun e Fierit.

“Gjatë vizitës u testuan gjithashtu kushtet teknike për zhvillimin e seancave gjyqësore online me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Bashkëpunimi për këtë qëllim pritet të formalizohet përmes një Memorandumi Mirëkuptimi, duke synuar rritjen e sigurisë dhe eficiencës në organizimin e proceseve gjyqësore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga Drejtoria e Burgjeve nuk jepen detaje për rezultatin e testimeve dhe as se kur pritet të formalizohet bashkëpunimi me Gjykatën e Posaçme.

Gjatë vizitës, Bodo u takua me stafin dhe u njoh me infrastrukturën e institucionit, si dhe me programet e rehabilitimit, arsimimit dhe punësimit të të dënuarve.