Redjan Z. është shqiptari që u vra me armë zjarri pranë Parlamentit Europian në Bruksel, më 12 tetor.
Sipas mediave të huaja, Redjan Z. nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë. Ai u ekzekutua në hyrjen e një pallati në rrugën Wiertz, në lagjen Ixelles, në zemër të zonës europiane të Brukselit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:50, kur shqiptari u qëllua me 7 deri në 8 plumba pistolete. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, ai ndërroi jetë në vendngjarje. Dëshmitarët raportuan se pas të shtënave, tre ose katër persona u larguan me shpejtësi nga vendi i krimit.
Sipas gazetës “De Standaard”, autorët e dyshuar për vrasjen e shqiptarit dyshohet se janë të njëjtët persona që disa orë më vonë ekzekutuan edhe efektivin e policisë belge, 41-vjeçarin Nordine El Talbi, në zonën e Jette.
Hetuesit kanë arritur në këtë përfundim pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të autorëve gjatë asaj mbrëmjeje.
Dyshimet paraprake janë se vrasja e Redjan Z. mund të ketë lidhje me larjen e hesapeve në botën e narkotikëve dhe se atentati mund të jetë kryer me pagesë.
Pas dy ngjarjeve të rënda, të dyshuarit u larguan nga Belgjika. Tre prej tyre u arrestuan në Almería të Spanjës, ndërsa një tjetër në një stacion hekurudhor në Paris. Të katërt janë dorëzuar te autoritetet belge. Njëri prej tyre është i mitur.
Ndërkohë, dy persona të tjerë u arrestuan në Bruksel menjëherë pas ngjarjeve. Njëri prej tyre është liruar për mungesë provash, ndërsa tjetri vijon të qëndrojë në paraburgim.
Prokuroria belge nuk e ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen mes dy vrasjeve, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivet dhe rolin e secilit prej personave të dyshuar.













