Ekonomia ruajti ritmet pozitive të rritjes gjatë vitit 2026, ndërsa aktiviteti ekonomik u mbështet nga konsumi, investimet, eksportet dhe zgjerimi i kreditimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia u rrit me 3,6% në tremujorin e dytë, pas rritjes prej 3,7% në tremujorin e parë.
Në eaportin tremujor të Politikës Monetare, BSH vlerëson se treguesit paraprakë për tremujorin e tretë sinjalizojnë vijimin e rritjes së qëndrueshme, të nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe ecuria pozitive e turizmit.
Ecuria e tregut të punës ka mbështetur gjithashtu aktivitetin ekonomik dhe konsumin. Në tremujorin e dytë, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2,3%, papunësia zbriti në 8,3%, ndërsa pagat në sektorin privat shënuan rritje vjetore prej 11,6%.
Një tjetër tregues pozitiv ishte zgjerimi i kreditimit. Kredia për sektorin privat u rrit mesatarisht me 15,5% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë, me kontribut të veçantë nga kreditimi në lekë, financimi i bizneseve dhe blerjet e pasurive të paluajtshme. Paralelisht, raporti i kredive me probleme zbriti në 3,6% në shtator.
Sa i përket inflacionit, ai shënoi mesatarisht 3,2% në tremujorin e tretë, nga 3% në tremujorin paraardhës, i ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të naftës dhe ushqimeve të papërpunuara. Megjithatë, në shtator inflacioni total u ngadalësua në 2,9%, nga 3,4% në korrik, duke iu afruar objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Sipas raportit, presionet e jashtme inflacioniste janë intensifikuar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rritjes së çmimeve të energjisë e lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare. Këto zhvillime, së bashku me pasiguritë në ekonominë globale, mund të ndikojnë në çmime dhe në kërkesën e huaj.
Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia shqiptare të vijojë të rritet pranë potencialit të saj gjatë dy viteve në vijim, e mbështetur nga të ardhurat, zgjerimi i kreditimit dhe kushtet e favorshme të financimit. Ndërsa inflacioni pritet të qëndrojë përkohësisht mbi objektiv deri në fillim të vitit 2027, më pas parashikohet të konvergojë gradualisht drejt nivelit 3%.
Raporti evidenton edhe rreziqet që mund të ndikojnë në këtë perspektivë, mes tyre përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike, ndërprerjet e mundshme në furnizimin me energji dhe rritja e kostove ndërkombëtare. Në vend, tensionet sociale dhe vijimi i protestave mund të cenojnë besimin e konsumatorëve, bizneseve dhe investitorëve, me pasoja të mundshme për konsumin dhe investimet, veçanërisht në turizëm dhe shërbime.
Në këtë situatë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi, në mbledhjen e 3 nëntorit 2026, të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare. Sipas Bankës Qendrore, “ky qëndrim mbetet i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, ndërsa vendimmarrja e ardhshme do të mbështetet në ecurinë e treguesve ekonomikë dhe vlerësimin e rreziqeve të brendshme e të jashtme”.


