Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar të enjten emërimin e Esmeralda Hasanit në detyrën e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), me propozim të kryeministrit Edi Rama.
Hasani është juriste me përvojë në administratën shtetërore, akademi dhe menaxhimin e projekteve ndërkombëtare. Gjatë karrierës së saj, ajo ka drejtuar institucione kërkimore, ka shërbyer si këshilltare dhe shefe kabineti pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën, si dhe ka qenë konsulente në Kryeministri.
Para emërimit në krye të SHISH-it, ajo mbante pozitën e shefes së Departamentit Mbështetës në këtë institucion.
Hasani merr drejtimin e SHISH-it pas largimit të Vlora Hysenit, e cila u shkarkua në shtator, pasi Gjykata e Posaçme caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës publike.
Hyseni po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, pas zbulimit të komunikimeve të saj me Ergys Agasin.
Hetimet lidhen me dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Hyseni i ka mohuar akuzat për dhënie të informacionit sekret.
Ndërkaq, më 30 tetor, SPAK-u regjistroi ndaj saj edhe një procedim të ri penal, nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.