Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësime për trajtimin shëndetësor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një takimi me të në burgun e Fierit. Sipas tij, ende nuk është siguruar dokumentacioni mjekësor që vërteton gjendjen shëndetësore të klientit të tij, ndërsa e cilësoi situatën si absurde.
“Ky është një persekutim shëndetësor”, u shpreh Ndreca, duke pretenduar se Veliaj vijon të qëndrojë në ambientet e spitalit në izolim të plotë, pa komunikuar me askënd, sikur të ishte një person i rrezikshëm.
Avokati foli edhe për kërkesën e Veliajt për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një të drejtë legjitime të një anëtari të kësaj force politike.
Sa i përket kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor, Ndreca sqaroi se nisma synon të hetojë pretendimet për kërcënime, të cilat Veliaj i ka ngritur si shqetësim.
I pyetur për qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj çështjes së kryebashkiakut, avokati tha se nuk ka dijeni për ndonjë vendim apo qëndrim zyrtar të partisë, por vetëm për reagime individuale.
“Unë nuk di të ketë një qëndrim të Partisë Socialiste në lidhje me çështjen Veliaj, por qëndrime individuale. Partia Socialiste është një parti demokratike dhe kolegjiale”, deklaroi Ndreca.
Ai theksoi se nuk mund të thuhet se Partia Socialiste ia ka mbyllur dyert Erion Veliajt, duke lënë të hapur çështjen e qëndrimit institucional të kësaj force politike ndaj kërkesave të kryebashkiakut.
