Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi me 30 vota pro dhe 9 kundër ndryshimet në vlerën e shpronësimit të pronave private të prekura nga projekti për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh zonën e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”. Vendimi parashikon rritjen e fondit të përgjithshëm të shpronësimit nga rreth 249.7 milionë lekë në 268.7 milionë lekë, si dhe përditësimin e listës së pronave dhe planimetrisë së pasurive të prekura, sipas raportimit të korrespondentes së Top Channel, Vali Qyrfyçi.
Këshilltarët e opozitës votuan kundër, duke kundërshtuar llogaritjen e vlerës së pronave si të largët nga vlera reale e tregut. Sipas tyre, zona e prekur është trajtuar si tokë ullishte dhe arë, ndërsa vlerësimi është bërë duke u referuar hartës së vlerës së tokës të miratuar me VKM-në nr. 89 të vitit 2016. Opozita theksoi se për përcaktimin e çmimit është marrë si referencë zona më e afërt, ajo e fshatit Vrinë, ku çmimi i referencës për tokën arë është mjaft i ulët dhe larg vlerës së tregut për lagjen ku kalon rruga.
Këshilltarët demokratë, mjeke Edlira Harizi dhe urbanisti Ardian Muka, deklaruan se ky vlerësim nuk pasqyron karakterin dhe vlerën reale të pronave në një zonë urbane të Durrësit brenda vijës së verdhë, duke sjellë kompensim të ulët për banorët e prekur. Sipas tyre, për ndikimin negativ të vlerësimit zgjidhje e vetme mbetet rruga gjyqësore për qytetarët e dëmtuar.
Këshilltarët e shumicës mbështetën projektvendimin, duke argumentuar se vlerësimi është bërë në përputhje me bazën ligjore në fuqi dhe se administrata ka zbatuar metodologjinë e parashikuar nga aktet ligjore dhe nënligjore për shpronësimet. Me miratimin e vendimit, fondi i shpronësimit rritet me afro 19 milionë lekë nga vendimi i mëparshëm i tetorit, ndërsa lista e pronave dhe planimetria zëvendësohen me dokumentacion të përditësuar. Në përfundim, shpronësimi në Durrës do të kryhet me vlerën e tokës në fshat. Burim: Top Channel.
