Shqipëria është përfshirë zyrtarisht në hartën globale të organizatës fetare hebraike Chabad-Lubavitch, e cila ka njoftuar hapjen e qendrës së saj të parë të përhershme në vendin tonë.
Njoftimi vjen në një kohë kur në Vlorë po zhvillohet edhe projekti i Muzeut Hebraik, duke ngritur pyetje mbi zgjerimin e institucioneve hebraike, financimin, transparencën dhe përfshirjen e komuniteteve vendase në këto zhvillime.
Chabad-Lubavitch është një lëvizje ndërkombëtare e judaizmit ortodoks, e njohur për rrjetin e saj të qendrave fetare, edukative dhe komunitare në shumë vende të botës.
Në njoftimin e publikuar nga vetë organizata thuhet se Shqipëria është shpallur “vendi më i ri në hartën globale të Chabad”.
Rabini Yossi Friedman, bashkëshortja e tij Etka dhe djali i tyre Meir do të vendosen në Shqipëri për të ngritur qendrën e parë të përhershme të kësaj organizate.
Në artikullin zyrtar, Chabad shpjegon se zhvillimi i turizmit në Shqipëri, veçanërisht ardhja e vizitorëve izraelitë, ka krijuar kërkesa të reja.
“Shqipëria po ndryshon me shpejtësi”, shkruhet në artikull, ku theksohet nevoja për ushqim kosher, sinagogë dhe një qendër mikpritjeje për vizitorët hebrenj.
Pra, organizata e lidh zgjerimin e saj me rritjen e turizmit dhe nevojat fetare të komunitetit. Por çfarë përmasash do të marrë kjo qendër, ku do të vendoset dhe si do të financohet? Këto detaje nuk sqarohen në materialin e publikuar.
Një pjesë e konsiderueshme e artikullit i kushtohet historisë së shqiptarëve që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Rabini Friedman deklaron:
“Koncepti shqiptar i Besës do të thotë ta mbash premtimin ndaj mikut, pavarësisht kostos.”
Më tej ai shprehet:
“Kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që hyn nga dera të trajtohet si familjar.”
Historia e mikpritjes shqiptare përdoret kështu si një nga argumentet kryesore për vendosjen e qendrës së re. Megjithatë, respekti për historinë dhe transparenca për projektet e sotme janë dy çështje që duhen trajtuar veçmas.
Në një tjetër intervistë të publikuar nga Chabad.org, rabini Friedman tregon përshtypjet e vizitës së tij në Shqipëri gjatë muajit gusht.
“Nuk mund të kaloja dy minuta pa dëgjuar hebraisht në rrugë”, shprehet ai.
Më tej, duke folur për planet e organizatës, deklaron:
“Puna jonë kryesore është të gjejmë komunitetin, t’i shërbejmë atij dhe të kujdesemi për mijëra udhëtarët.”
Ai pranon gjithashtu se komuniteti është i vogël dhe se jo të gjithë ishin të bindur për krijimin e një pranie të përhershme hebraike.
Këto deklarata tregojnë se Chabad nuk synon vetëm shërbime sezonale për turistët, por një aktivitet të qëndrueshëm fetar dhe komunitar në Shqipëri.
Ndërsa Chabad njofton zgjerimin në Shqipëri, në Vlorë projekti i Muzeut Hebraik ka shkaktuar kundërshtime të forta nga qytetarët.
Më 11 nëntor, Gjykata Administrative në Lushnjë la në fuqi pezullimin e punimeve. Qytetarët kundërshtojnë vendndodhjen e muzeut pranë kompleksit historik të Labërisë, duke argumentuar se ndërhyrja cenon trashëgiminë dhe identitetin historik të qytetit.
Projekti, i financuar me rreth 2.8 milionë dollarë nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, është kthyer në objekt të një beteje ligjore mes qytetarëve dhe institucioneve.
Një nga protestuesit është shprehur:
“Ne nuk jemi kundër muzeve, por ky muze nuk po ndërtohet në vendin e duhur.”
Nga njëra anë, organizata Chabad shpall Shqipërinë pjesë të rrjetit të saj ndërkombëtar. Nga ana tjetër, projekti i Muzeut Hebraik në Vlorë vijon të përballet me kundërshtime qytetare dhe procese gjyqësore.
Por kush po i merr këto vendime dhe sa janë pyetur qytetarët? A po dëgjohet zëri i vlonjatëve që kundërshtojnë vendndodhjen e muzeut, apo shqetësimet e tyre po lihen në hije? Përse projektet që prekin hapësirat dhe trashëgiminë publike duhet të përfundojnë në dyert e gjykatave që qytetarët të dëgjohen?
Sepse Besa dhe mikpritja shqiptare nuk mund të përdoren si përgjigje për çdo kundërshtim. Respektimi i historisë nuk i përjashton institucionet nga detyrimi për transparencë dhe llogaridhënie.