Sot dy “musketierët” e Tiranës, shkrimtari më i lexuar i dekadave të fundit Ben Blushi dhe moderatori televiziv më i shikuar Blendi Fevziu janë takuar dhe kanë pozuar sëbashku. Pas këtij takimi Ben Blushi shkruan: “Kisha një bisedë shumë të bukur me mikun tim Blendi Fevziun për romanin Historitë e Cmendura të Tiranës.
Ndryshe nga herë të tjera, ai më intervistoi në qendër të Tiranës aty ky në vitin 1614 Sulejman Pashë Bargjini themeloi qytetin duke ndertuar një furrë, një hamam, një han dhe një xhami.
Duke ecur në këmbë kujtuam njerëzit që ngritën Tiranën me marrëzitë, ambicjet dhe betejat e tyre, burra, gra, aventurierë, shqiptarë dhe të huaj pa të cilët ky qytet nuk do ishte bërë dot kryeqytet.
Blendi Fevziu është një nga njohësit më të mirë të Tiranës dhe sa herë e takoj i jap të drejtë alarmit të tij se qyteti i vjetër po zhduket nga pasioni i verbër për të prishur cdo gjë që ka ekzistuar dhe për të ngritur godina të reja që në shumicën e rasteve janë konvikte të shëmtuara me shumë kate.
Ka të drejtë.
Megjithëse Tirana ka një shqisë të fortë vetërregullimi, sic po e provon dhe këto ditë kur pa semaforë ka më pak trafik, sërish këtë rradhë është perballë sfidēs së fundit.
A do ti rezistojë dot etjes për të ndërtuar kudo dhe pa limit?
Blendi Fevziu dhe unë i përkasim një brezi të lindur në Tiranë, të cilët jetuan bashkëjetesën urbanistike të tre kohëve: monarkisë, komunizmit dhe tranzicionit.
Kjo harmoni ndërtimesh që e bëri Tiranën jo vetëm interesante por edhe njerëzore sot po prishet.
Tirana njerëzore po shembet kurse Tirana e re është shumë e egër.
Nga nevoja për të ngjallur histori dhe njerëz të cilët po humbin nën peshën e një modernizimi brutal kam shkruar dhe Historitë e Cmendura të Tiranës”.