Stuhia Charles godet Spanjën dhe Portugalinë, era arrin në 120 km/h. Anulohen mbi 200 fluturime dhe evakuime masive

Stuhia subtropikale Charles ka përfshirë Spanjën dhe Portugalinë, duke sjellë reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe përmbytje në disa zona të Gadishullit Iberik.
Në Spanjë, autoritetet vijuan evakuimin e më shumë se 3 mijë banorëve në zonën e Piedralaves, në provincën e Ávila-s, për shkak të rrezikut të tejmbushjes së një dige lokale.
Ndërkohë, në rajonin e Andaluzisë perëndimore, stuhia solli reshje që kaluan 120 milimetra në disa zona, erëra me shpejtësi mbi 120 km/h dhe dallgë të larta.
Në provincat Huelva, Cadiz dhe Sevilla u raportuan përmbytje, pemë të rrëzuara dhe probleme në qarkullimin rrugor.

Moti i keq shkaktoi disa incidente në Marbella, Torremolinos dhe Estepona, ku u raportuan ambiente të përmbytura, ndërsa në Malaga, Torremolinos, Coín dhe Archidona u rrëzuan pemë, degë, palma dhe sinjalistika rrugore.
Ndërkohë, në Portugali, stuhia Charles shkaktoi probleme të konsiderueshme në transport dhe në aktivitetin e përditshëm. Më shumë se 200 fluturime u anuluan të mërkurën, ndërsa shkollat, qindra supermarkete dhe biznese u mbyllën si masë parandaluese.
Mbrojtja Civile regjistroi 538 incidente që nga mesnata, kryesisht për shkak të përmbytjeve, erërave të forta dhe detit të trazuar.

Qeveria portugeze vuri në gatishmëri shërbimet e emergjencës dhe njësitë ushtarake, ndërsa qytetarëve iu bë thirrje të shmangnin daljet e panevojshme.
Stuhia kishte goditur më herët edhe arkipelagun e Madeirës, ku u raportuan përmbytje dhe rrëzime pemësh. Shërbimet e emergjencës shpëtuan një person që ishte bllokuar nga uji në garazhin e banesës së tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



